Kosova

Rama për anulimin e Planit Rregullues për “Kalabrinë”: Është vendim i MMPHI-së


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në mbledhjen e mbajtur të premten e 18 marsit, ka arsyetuar propozim-vendimin për anulimin e vendimit për miratimin e Planit Rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”.

Sipas tij, aspekti i shfuqizimit është si rezultat i vendimit të ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) që ka shpallur të pavlefshëm Planin Rregullues.

“Është kërkesë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës-së. Ne duhet ta bëjmë një analizë të mirëfilltë se çka i nevojitet kësaj lagje me koeficientin 2.4. Ne po mundohemi të bëjmë Planin legal, sepse për momentin është e jashtëligjshme”, tha Rama.

Gjithashtu, i pari i Prishtinës premtoi se brenda periudhës gjashtë mujore do të sjellë planin e ri për këtë lagje.

Në shenjë pakënaqësie për shfuqimin e këtij plani, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, kanë lëshuar mbledhjen.

Asamblisti Gëzim Sveçla, nga Lëvizja Vetëvendosje konsideroi se kjo çështje nuk ishte dashur të jetë as në rend të ditës dhe sipas tij, “nëse votohet sot ky shfuqizim do të bllokojë zhvillimin e kësaj lagje, e po ashtu edhe rrugën A”.

Për derisa theksoi se për këtë pikë të rendit të ditës nuk do të qëndroj në sallë.

“Nëse ne sot votojmë këtë , rrezikojmë të bllokojnë zhvillimin e kësaj lagje të qytetit, rrugën ‘A’. Ne kërkojmë që mos të votohet. Prandaj, ne e lëshojmë mbledhjen”.

Edhe Valbona Ajeti nga AAK, shprehi kundërshtime për shfuqizimin e këtij vendimi.

Ndërkaq, Sami Boroci nga AKR, potencoi se nuk e mbështesin shfuqizimin e këtij plani për “Kalabrinë”, sepse siç tha ai nuk ka asnjë logjikë me votuar sot diçka të tillë.

“Edhe ne si grup e lëshojmë sallën. Nuk ka asnjë logjik me shfuqizuar këtë plan”, tha ai.

Ndërsa, asamblistët e LDK-së dhe PDK-së kanë mbështetur shfuqizimin e këtij Plani Rregullues për “Kalabrinë”.

Ndryshe, të premten e 18 marsit, banorët e lagjes “Lakrishta”, “Qendra”, “Bregu i Diellit” dhe “Santea”, kanë protestuar para Komunës së Prishtinës kundër ndërmarrjes “Prishtina Parking”, e cila i vendosi laurat në lagjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore