Kosova

Rama mohon akuzat për pagesë në “Fan Zone Prishtina”: Sulm për ta dëmtuar imazhin tim


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas arrestimit të asamblistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje të hënën, Arianit Beqiri, i cili ka pretenduar se është arrestuar për shkak se ka refuzuar ta paguajë biletën për hyrje në një hapësirë publike.

Rama, ka konfirmuar se hyrja në “Fan Zone Prishtina”, është pa pagesë.

“Konfirmojmë se hyrja në Fan Zone ka qenë falas, sipas deklaratave zyrtare të organizatorit”.

Sipas tij, ky veprim ka qenë sulm ndaj institucioneve publike e ndaj atij.

“Akuzat për një hyrje me pagesë janë të pasakta dhe paraqesin një përpjekje për dezinformim të qëllimshëm të opinionit publik, me synimin e qartë për të dëmtuar imazhin e strukturave përgjegjëse dhe gjithë institucionin publik, përfshirë mua”, ka shkruar Rama.

Ndër të tjera, ka kërkuar që të krijohet një mjedis i shëndoshë i komunikimit duke u bazuar në fakte dhe transparencë.

“Dezinformimi nuk është në interes të qytetarëve”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i ka thënë Albanian Post, se arrestimi i ish-asistentit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka ardhur meqë i njëjti është i dyshuar gjithashtu për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre”, ka thënë Borovci për AP.

Borovci ndër të tjera njoftoi se përveç Beqirit është arrestuar edhe një person tjetër për të njëjtën arsye.

Beqiri u arrestua të hënën nga ana e Policisë së Kosovës.

Nga pamjet e publikuara në media, Beqirit i janë vënë prangat pas një rezistimi të gjatë ndaj zyrtarëve policorë.

Në anën tjetër shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, potencoi se kolegu i tij u vu nën pranga, pasi refuzoi ta paguajë biletën për hyrje në një hapësirë publike, ndonëse hyrja në ambientet ku po shfaqen ndeshjet e futbollit të Kamiponatit Evropian është pa pagesë.

“Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Arianit Beqiri u arrestua në sheshin e Prishtinës sepse refuzoj të paguaj hyrjen në hapësirën publike ku po shfaqen ndeshjet e futbollit”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook.

Sveçla kërkoi që me zyrtarët policorë të cilët e arrestuan Beqirin të merret Inspektorati Policor i Kosovës.

Policia për ish-asistentin e Kurtit: Nuk zbatoi urdhërat e policit, prishi qetësinë publike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore