Kosova

Rama kërkon nga Qeveria ta bëjnë prioritet trajtimin e qenve endacakë


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta bëjë prioritet trajtimin e problemeve të qenve endacakë në nivel të vendit, kështu duke i mbështetur ato me resurse financiare.

Rama, e ka bërë këtë kërkesë teksa ka njoftuar se të mërkurën është përuruar qendra për trajtimin e qenve endacakë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të bëj prioritet trajtimin e problemit të qenve endacakë në nivel të Kosovës duke mbështetur komunat me resurse financiare dhe të tjera. Pa një angazhim të tillë, problemi nuk mund të zgjidhet në nivel nacional”, ka thënë Rama.

Sipas tij, me këtë vendim numri i qenve në rrugë do të shënoj ulje.

“Kjo Qendër do të ketë një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve tanë duke reduktuar numrin e qenve në rrugë dhe duke u kujdesur për mirëqenien e tyre. Qendra është furnizuar me pajisje moderne dhe ka të punësuar veterinarin, dy teknikë veteriner si dhe stafin tjetër mbështetës”.

Ndërsa, ka sqaruar procesin se si do të bëhet bartja e qenve endacakë nga rrugët e Prishtinës në këtë qendër.

“Qentë do të mbahen në pjesën e strehimit deri në adoptimin e tyre. Siç është në dijeni opinioni, qentë të cilët adoptohen do të trajtohen falas në këtë Qendër për tërë jetëgjatësinë e tyre, si dhe pronarët do të marrin nga 50 euro në muaj për secilin qen të adoptuar nga kryeqyteti”.

Në Prishtinë janë rreth 3 mijë qen endacakë, kurse në mbarë Kosovën thuhet se numri i tyre arrin në 200 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore