Qiraja ditore shtrenjton koston e strehimit të shqiptarëve, të ardhurat llogariten në 25 milionë dollarë
Në 6 muajt e parë të vitit, tregu i qirasë ditore gjeneroi 25 milionë dollarë.
Të ardhurat nga apartamentet me qira në Airbnb u shtuan 1,2 herë më shumë krahasuar me vitin pararendës.
Teksa tregu vijon të zgjerohet për shkak të kërkesës së lartë të turistëve të huaj për këtë lloj akomodimi, agjentët imobiliarë ngrenë shqetësimin për efektet anësore të qiraja afatgjatë.
Që pas pandemisë, sipas Monitor, qiratë për strehim janë shtrenjtuar mesatarisht deri në 20% në Tiranë.
Oferta e lartë rrezikon edhe rënien e çmimeve.
Fluksi i turistëve të huaj ka nxitur rritjen e numrit të strukturave për dhënie me qira ditore.
Por edhe këtë vit, agjentët e pasurive të paluajtshme ngrenë shqetësimin se zgjerimi i këtij tregu po bëhet në kurriz të stokut për qiranë afatgjatë.
Pakësimi i stokut vijon të shtrenjtojë koston e strehimit për shumë familjarë.
Sipas agjentëve mobilierë, vëren Monitor, shtimi i strukturave për qira ditore, pas periudhës së pandemisë, çdo vit i ka shtrenjtuar mesatarisht në Tiranë çmimet e qirave afatgjatë me 15 deri në 20%.
Referuar të dhënave të AirDna, strukturë e posaçme që mban të dhënat e tregut për qiratë ditore në platformën ndërkombëtare Airbnb, në muajin qershor në Shqipëri ishin të listuara 21,447 apartamente, vila apo shtëpi.
Krahasuar me qershorin 2023, numri i tyre u shtua me 39%, ndërsa krahasuar me qershorin 2022, listimet janë rritur me 73%.
Për agjentët, njohës të tregut të shitblerjes së pronave, rritja e numrit të njësive për qira ditore erdhi nga pritshmëritë për vijim pozitiv të turizmit, pas një viti të suksesshëm, ku në Shqipëri erdhën 10,2 milionë turistë të huaj, me qëllim shtimin e të ardhurave të gjeneruara.
Shumë individë dhe biznese investuan për ofrime strukturash të reja, si: apartamente, vila apo shtëpi me qira ditore, një lloj akomodimi tepër i preferuar nga turistët të huaj, për shkak të çmimit më të lirë sesa hotelet.
Mungesa e alternativave për të difersifikuar investimet konsiderohet nga agjentët imobiliarë një tjetër faktor që po zgjeron tregun e qirasë ditore.
Sakaq, qiraja ditore mbetet një mënyrë shumë e mirë e sigurimit të kthimit të investimit në një pronë, përderisa në Shqipëri mungojnë ende mundësitë për të marrë pjesë në fonde investimesh, në bursë.
Zgjerimi i vrullshëm i sektorit, jo vetëm po rrit çmimet e qirasë afatgjatë, por po “godet” edhe hotelerinë e bregdetit, sipas Monitor.
Ndër të tjera ekspertët pohojnë se ky treg rrezikon të bëhet i paleverdishëm, pasi për shkak të ofertës së lartë, qiratë ditore po bien ndjeshëm.
Të dhënat për net-qëndrimet tregojnë se turistët e huaj janë më të shumtë këtë vit.
Rritja e net-qëndrimeve dhe çmimeve ka shtuar ndjeshëm të ardhurat nga apartamentet, shtëpitë apo vilat që jepen me qira ditore në platformën ndërkombëtare Airbnb.
Të ardhurat nga tregu i qirasë afatshkurtër në Shqipëri në muajt janar-qershor 2024 janë rreth 25 milionë USD (e llogaritur sipas tarifës mesatare ditore ADR shumëzuar me kërkesën për net-qëndrimi, bazuar në të dhënat e vëna në dispozicion nga AirDNA vetëm për platformën Airbnb).
Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023, të ardhurat e gjeneruara nga apartamentet dhe shtëpitë e dhëna me qira në Airbnb u rritën në 1,2 herë.
Në periudhën janar-qershor 2022, të ardhurat nga qiratë ditore për apartamentet në Airbnb llogariten në 7,1 milionë USD. Të ardhurat e gjeneruara në 6-mujorin e parë të 2024-s, në raport me të njëjtën periudhë të 2022 janë shtuar rreth 2,5 herë.
Të ardhurat e gjeneruara në muajin qershor kulmuan në 2024, përkatësisht në 10 milionë USD. Krahasuar me vjet, të ardhurat për muajin qershor u rritën me 1,3 herë.
Në muajin qershor 2023 të ardhurat arritën 4,3 milionë USD, rreth 72% më shumë se në vitin 2022.
Këtë vit janë rritur edhe net-qëndrimet, e dhënë që tregon direkt fluksin e turistëve të huaj.
Në total, në 6-mujorin e parë 2024 në strukturat Airbnb janë shënuar 412 mijë net të prenotuara, me rritje prej 97% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në raport me 6-mujorin e parë 2022, net-qëndrimet pothuajse janë trefishuar.
Në muajin qershor u shënuan 140 mijë net të prenotuara nëpërmjet platformave Airbnb. Net-qëndrimet është treguesi, që mat direkt ecurinë e turistëve të huaj në vend në strukturat akomoduese përfshirë edhe ato me qira ditore.
Krahasuar me muajin qershor 2023 net-qëndrimet janë rritur me 91%, ndërsa në raport me 2022, janë dyfishuar.
Rritja e net-qëndrimeve në 6-mujorin e parë të 2024-s nisi që në muajt e parë të vitit. Në muajin janar, net-qëndrimet janë rritur me 50% kundrejt janarit 2023.
Progresi i rritjes së net-qëndrimeve vijoi edhe në muajt në vazhdim. Për secilin muaj, si shkurt, mars dhe prill, net-qëndrimet u shtuan me 100% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Tarifat e qirasë ditore për natë, në anën tjetër, kanë shënuar rritje. Për muajin qershor, mesatarja e çmimit ditor në shtëpitë, apartamentet apo vilat në Airbnb është 67 USD kundrejt 59.65 USD që ishte vjet.
Rritja është gati 20%. Rritje të ndjeshme të çmimeve ka pasur edhe në muajt prill dhe maj.
Sivjet përkatësisht në muajin prill, çmimi mesatar i qirasë në këto struktura është 56.66 USD për natë. Rritja është 19%. Ndërsa në muajin maj, çmimi arriti 58.18 USD për natë. Krahasuar me vjet u shtua me 9%.
Kohëzgjatja e qëndrimit shënon rënie 9% në muajin qershor 2024 krahasuar me 2023.
Në 6-mujorin e parë, kohëzgjatja e qëndrimit rezulton se varion nga 2.9 net deri në 3.1 net nga 3.1 deri në 3.3 që ishte vitin e kaluar.
Mesatarisht netët e qëndrimit të një turisti të huaj që ka vizituar Shqipërinë janë më pak sesa vjet.
Teksa është shtuar zënia e strukturës me rezervime me 7% në qershor 2024. Konkretisht, në muajin qershor 2024, sipas të dhënave të AirDNA, zënia e strukturës nga qiramarrës është 51.2%.
Referuar Monitor, kjo do të thotë se nga 30 ditë të muajit qershor të zëna me qiramarrës, strukturat kanë qenë për 15.3 net, kundrejt 14.3 netëve të rezervuara që ishte mesatarja e muajit qershor 2023.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore