Kosova

Qeveria s’u koordinua me ne, ndonëse premtoi një gjë të tillë – thotë NATO  


Ilustrim

Aleanca Veri-Atlantike, NATO, është shprehur shumë e zhgënjyer me aksionin e ditës së premte të autoriteteve kosovare në Veri të Kosovës ku u mbyllën pesë komuna paralele serbe.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, zëdhënësja e NATO-s, Farah Dakhlallah, ka vlerësuar se ky aksion ka qenë i pakoordinuar paraprakisht me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, ndonëse autoritetet kosovare kishin premtuar se do ta bënin një gjë të tillë.

“Shumë të zhgënjyer nga aksionet e djeshme në Veri të Kosovës që nuk ishin të koordinuara me KFOR-in pavarësisht zotimeve të përsëritura për ta bërë këtë”, ka shkruar ajo.

Zëdhënësja e NATO-s ka thënë se KFOR-i është i përgatitur për të zbatuar mandatin e tij të dhënë nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Ajo ka bërë thirrje për depërshkallëzim dhe angazhim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

KFOR-i ka rritur praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër më 31 gusht.

Rritja e pranisë së KFOR-it mbi urën mbi lumin Ibër vjen një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në Veri të Kosovës.

Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore