Shqipëria

Qeveria përgatit ligjin për rezervistët, strukturë prej 2 mijë e 100 ushtarakësh


Qeveria shqiptare ka vendosur të rregullojë shërbimin rezervist të ushtrisë përmes një draft-ligji të publikuar më herët në media.

Sipas detajeve të para, bëhet fjalë për një strukturë të përbërë nga 2 mijë e 100 ushtarakësh rezervistë.

Kjo e fundit, do të organizohet dhe do të funksionojë si pjesë përbërëse e strukturës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

“Me gjithë përpjekjet për krijimin dhe funksionimin e strukturës organike të rezervës në Forcat e Armatosura, hartimit të konceptit të përdorimit apo akteve për këtë strukturë, krahas traditës së FA-së në të kaluarën, lind domosdoshmëria e funksionimit të saj nga anëtarësia në NATO, nga përvoja dhe kërkesat e vazhdueshme të Aleancës, për përqindjen e fillimit të aktivizimit të kësaj strukture, nga situata rajonale e sidomos nga konflikti aktual Rusi-Ukrainë”, nënvizon drafti.

Deri tani shërbimi ushtarak rezervë gjente rregullim të pjesshëm në disa nene me ligjin nr. 9047, datë 10.07.2003 “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Me draftin e ri të dalë më 13 shtator 2023 në konsultim publik ky shërbim konsiderohet si “veprimtari e veçantë, shoqërisht e domosdoshme për shtetin, që kryhet në bazë të dëshirës, vullnetit dhe detyrimit për t’i shërbyer atdheut dhe interesave të kombit”.

Autoritetet parashikojnë mobilizimin në shërbimin ushtarak jo vetëm të atyre që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura si ushtarakë aktiv, por dhe civilë që nuk kanë shërbyer si ushtarak në FA të cilët plotësojnë kushtet dhe kriteret e miratuara nga Ministria e Mbrojtjes.

Parashikohet që kryerja e shërbimit rezervist u lejohet dhe shtetasve shqiptarë me dy shtetësi.

Gjithashtu me draftin e ri rritet dhe mosha e shërbimit ushtarak rezervist, e cila shkon deri në 60 vjeç për oficerë, ndërkohë me ligjin e vjetër shërbimi ushtarak në rezervistë ishte i detyrueshëm deri në moshën 50-vjeçare.

Me draftin e ri propozohet  që shërbimi ushtarak rezervist kryhet nga shtetasit shqiptarë të moshës: deri 50 vjeç për ushtarë; deri 55 vjeç për nënoficerë dhe deri 60 vjeç për oficerë.

Rezervistët do të jenë në krah të FA-ve dhe në misionet e NATO-s, apo në misione ushtarake ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE-ja për sigurinë rajonale dhe globale.

“Shërbimi ushtarak rezervist shërben për të siguruar individë të trajnuar, me qëllim kompletimin e strukturës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ruajtjen e nivelit të gatishmërisë dhe operacionalitetit të kërkuar, rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, të nevojshme në rastet e përkeqësimit të gjendjes së sigurisë, si dhe për plotësimin e detyrimeve kombëtare në kuadër të NATO-s, operacionet në përgjigje të krizave, operacionet e mbështetjes së paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale, si dhe operacionet e emergjencave civile”, vijon drafti.

Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak rezervist është nga 14 deri në 45 ditë në vit.

Për nevoja të stërvitjeve ushtarake, që zgjasin më shumë se 14 deri 45 ditë në vit, ministri i Mbrojtjes urdhëron bashkimin e ditëve të stërvitjes të dy viteve, por jo më shumë se 45 ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore