Kosova

Qeveria: Me masa ‘mbyllë’ aktivitetet kulturore lejon ato sportive


Ilustrim

Masat e reja anti-COVID-19 të ndërmarra të shtunën nga Qeveria e Kosovës kanë shpërfaqur disa kontradikta logjike.

Bibliotekat, kinematë dhe muzetë e qendrat rinore sipas vendimit qeveritar, do të mesin të mbyllura deri më 13 shtator.

“Bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, pezullojnë aktivitetin e tyre deri me datë 13 shtator 2021”, thuhet në pikën e 50-të të vendimit.

Në pikën e 58 të po të njëjtit vendim lejohet shfrytëzimi i fitneseve dhe palestrave sportive me disa kushte por ato do të mbesin gjithsesi të hapura.

“Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative. Klientët duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij vendimi”, shkruan në pikën 58 të vendimit.

Shfrytëzuesit e këtyre hapësirave sipas masave të reja, janë të obliguar që të jenë të vaksinuar të paktën me një dozë ose të kenë rezultate të 48 orëve të fundit të testit antigjen që dëshmon se ata janë negativë në COVID-19.

Gjithashtu, në pikën tjetër në vazhdim të vendimit thuhet se këto hapësira rekreacioni janë të obliguar të caktojnë së paku një punonjës i cili do të kontrollojë certifikatat ose vërtetimet e nevojshme, gjithnjë duke u bazuar në masat e reja të cilat do të hyjnë në fuqi të dielën e 29 gushtit.

“Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme, bëhet në proporcion 1 klient në 10 m2”, thuhet në pikën e 60.

Aktiviteti kulturorë realisht është i ndaluar nga masat ndërsa lejohet aktiviteti sportiv ani pse ky i fundit mund të prodhoj kontakte fizike shumëfish më shumë se sa të vizituarit e Bibliotekave, kinemave, qendrave rinore, muzeve apo qendrat e kulturës.

Aktiviteti kulturor mund të zhvillohet vetëm në ambiente të hapura.

Ndërsa operatorët ekonomik që zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda qendrave tregtare të cilat janë të mbyllura, sipas vendimit qeveritar thuhet se mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre duke e përcaktuar numrin maksimal të klientëve në lokal “në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2”.

Mirëpo, paradoksalisht shërbimi i gastronomisë është i ndaluar edhe në qendrat tregtare ashtu siç është i ndaluar edhe jashtë tyre – duke lejuar shërbimin vetëm në ambientin e hapur.

Nga ana tjetër mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen të mbahen “pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca sociale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore