Shqipëria

Qeveria britanike po pret rezultatet e partneritetit Itali-Shqipëri për migracionin


Qeveria britanike po vëren politikat italiane të migracionit në një sërë fushash, duke përfshirë një marrëveshje me Shqipërinë dhe një skemë të “kthimeve masive”.

Kështu deklaroi ministrja e brendshme britanike, Yvette Cooper gjatë intervistës për “BBC Breakfast”.

Cooper u shpreh se bëhet fjalë për katër politika të ndryshme që kanë italianët të cilat i interesojnë qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

“E para është puna që ata po bëjnë rreth krimit të organizuar të emigracionit”, theksoi ajo për multimedialin britanik.

“Kjo është puna që ne po përgatisim në thelb, ku do të bëjmë gjithashtu një përmirësim të madh teknologjik, dhe ku duam të punojmë me Italinë, me Gjermaninë, me vendet e tjera evropiane, gjithashtu me Francën”, shtoi zyrtarja.

Cooper deklaroi se MB-të duhet të jenë gjithashtu pjesë e bashkëpunimeve ndërkombëtare siç punon Italia me Tunizinë për të parandaluar që njerëzit të largohen nga Afrika e Veriut në radhë të parë.

“Gjëja e tretë që ata po bëjnë janë kthimet masive. Pra, ata po përshpejtojnë kthimet për ata që nuk kanë të drejtë të jenë atje. Ne e kemi bërë këtë edhe gjatë verës, kështu që kemi pasur një rritje të konsiderueshme të kthimeve për njerëzit që nuk kanë të drejtë të jenë në MB, sepse rregullat duhet të respektohen dhe zbatohen”, pohoi ministrja britanike.

Sakaq, Cooper u ndal edhe te partneriteti Itali-Shqipëri duke shtuar se autoritetet britanike po presin të shohin se çfarë do të sjellë kjo e fundit.

“Gjëja e katërt që ata po bëjnë është programi i Shqipërisë, por ai nuk ka filluar ende, kështu që ne do të duhet të shohim se çfarë do të sjellë. Është shumë ndryshe nga partneriteti i Ruandës që ka pasur qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, dhe ne do të duhet të shohim se si do të funksionojë”, theksoi Yvette Cooper.

Sekretarja e Brendshme ravijëzoi në përmbyllje se qeveria ka një “imperativ moral” për të reduktuar kalimet me varka të vogla.

Për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut të emigrantëve në Itali, Cooper tha: “Unë nuk mendoj se është e pamoralshme të shkosh pas bandave kriminale. Krejt e kundërta. Unë mendoj se është në të vërtetë një imperativ moral për t’u siguruar që ne po ndjekim bandat kriminale që po vënë jetën në rrezik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore