Kosova

Pushteti refuzon të ia jep meritat ish presidentes Jahjaga për sigurimin e aparaturës që ka kosto mbi 1 milionë euro


Foto nga ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), të premten u bë me shërbimin më të ri mjekësore i pari në rajon SPECT/CT/PET, kjo falë angazhimit të ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila arriti t’i sigurojë donatorët për ta sjellë këtë pajisje në Kosovë.

Megjithatë, nga pushteti nuk pati asnjë falënderim për ish presidenten Jahjaga, madje në shkrimet e tyre asnjëri nuk e përmendi angazhimin e saj për ta siguruar këtë pajisje e cila diagnostikon sëmundje të shumta – njëra ndër to edhe tumori në faza të hershme.

Ish presidentes iu dha një mirënjohje teksa po hynte në makinë për kontributin e saj.

Ndonëse nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u tha se kjo pajisje është tejet e rëndësishme ajo falënderoi vetëm donatorët për këtë pajisje.

“SPECT/CT/PET, pajisja mjekësore më e fundit tashmë është pjesë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, falë mbështetjes së Alëaleed Philanthropies Global nga Arabia Saudite”.


“Qytetarët tanë tanimë do të mund të marrin kujdesin që u nevojitet pikërisht këtu në shtëpi, të rrethuar nga familja dhe të afërmit e tyre”, ka shkruar Osmani të premten.

Po ashtu edhe mirënjohjen e ndau vetëm për ta.

“Thellësisht mirënjohës Lartësisë së Tij Mbretërore Princit Alwaleed bin Talal Al Saud dhe Lartësisë së Saj Mbretërore Princeshës Lamia bint Majed Al Saud, udhëheqja vizionare e së cilëve ka transformuar jetë të panumërta në mbarë botën, përfshirë tani edhe në Kosovë”.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tregoi rëndësinë e kësaj pajisje duke bërë të ditur se është e para në rajon.

Një pjesë të meritave ai e morri edhe për vetë, ndërsa një falënderim ia dedikoi edhe ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Shëndetësia publike dhe fuqizimi i saj, mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Me funksionalizimin e këtij shërbimi të ri në QKUK, qytetarët tanë nuk do kenë nevojë që këtë shërbim ta marrin jashtë vendit. Vetëm në vitin 2023 për këtë procedurë janë referuar jashtë vendit mbi 300 pacientë”, ka shkruar ai.

Ndërsa nga ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është thënë se ky s’do të jetë kontributi i saj i fundit për shëndetësinë në Kosovë.

“Kjo arritje, e cila nuk është e para dhe as nuk do të jetë e fundit, është bërë e mundur falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm mes Fondacionit Jahjaga dhe Fondacionit Filantropik Alëaleed në Riyadh të Arabisë Saudite, të udhëhequr nga Lartësia e Tij, Princi Alëaleed Bin Talal AlSaud”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka përmendur edhe faktin se për vite me radhë qytetarët e Kosovës, kanë udhëtuar jashtë shtetit për diagnostifikimet e nevojshme.

“Nga sot, kjo nuk do të jetë e nevojshme, pasi që ky shërbim do të kryhet në pragun e shtëpisë së çdo qytetari në nevojë, duke ulur kostot dhe përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit shëndetësor”.

“Jam e bindur se ky është vetëm fillimi i shumë arritjeve të tjera që do të realizojmë së bashku! Së bashku për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, nga anëtari i deputetit të Partisë Demokratike dhe njëri nga anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, ka vlerësuar kontributin e ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për shëndetësinë.

Haxhiu, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se më shumë përpjekje po bëhen për ta përmirësuar këtë drejtim nga Jahjaga sesa nga qeveria Kurti.

“Më shumë po kontribuon ish –  presidentja Atifete Jahjaga për sektorin e shëndetësisë se krejt Qeveria Kurti. Lajm i mirë instalimi i aparaturës se PET-CT-së në QKUK, falë donacionit që e sigurojë ajo”.

Tutje ai ka thënë se ky funksionalizim do t’i ndihmojë jashtëzakonisht shumë pacientët.

“Për këtë ndihmë Jahjaga meritoi trajtim më dinjitoz, jo ashtu siç ja dorëzuan mirënjohjen teksa hynte në makinë”, ka shkruar Haxhiu.

Nga QKUK-ja ende nuk dihet se kur do të funksionalizohet kjo pajisje.

Deri tani Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, kishte paguar qindra mijëra për shërbimin e PET-CT-së për pacientët në klinikat private brenda dhe jashtë Kosovës.

Në shumë prej klinikave të Qendrës Klinikë Unviersitare të Kosovës, pacientët duhet të enden për shkak të prishjes së aparaturave.

Në disa të tjera aparaturat janë moderne dhe funksionale, por nuk ka kush të operojë me to.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore