Lajme

“Puna në distancë të bën menaxher të punës sate”


Thonë se kur njerëzit janë të lirë të zgjedhin se ku duan të punojnë, ata thjesht e shijojnë më shumë punën e tyre të përditshme.

Për inxhinierin kompjuterik Sheme Hamitaj, ka shumë arsye pse ka parapëlqyer punën në distancë.

“E para dhe më e rëndësishmja është mundësia që më jepet për të punuar ngado thjesht me një laptop të lidhur në internet. Kjo gjë më lejon të punoj dhe teksa udhëtoj”, tregon ai.

Ai zbulon për Albanian Post edhe një arsye tjetër. Një arsye të dytë që është kursimi i kohës.

“Duke mos e shpenzuar atë për të shkuar fizikisht në zyrë. Gjithashtu mund të qëndroj me familjen më shumë. Ose mund të zgjedh nëse dua të punoj i shoqëruar nga të tjerët, duke shkuar në ambiente si lokale apo zyra të përbashkëta”.

Hamitaj dallon se, krahasuar me punën në zyrë, puna në distancë thuajse nuk ka asnjë vështirësi.

“Veçse ndonjëherë do të ishte më mirë të diskutoje diçka nga afër me kolegët e punës, pasi mbledhjet në distancë nuk kanë të njëjtin ritëm dhe produktivitet si ato në zyrë”, shton ai.

Nga ana tjetër, të sjell mundësi të reja. “Kryesisht njohjen me njerëz e me kultura të ndryshme”.

Po ashtu, edhe “mundësinë për t’u rivendosur në një vend të huaj përkohësisht apo përfundimisht, pasi shumica e kompanive të huaja ofrojnë programe për të afruar më shumë punonjësit e tyre në distancë”.

Prandaj dhe programuesi Hamitaj e rekomandon punën në distancë dhe shpresoj që më shumë kompani ta ofrojnë si mundësi për punonjësit e tyre.

Kurse për pagesat, ai thotë se janë të kënaqshme, pasi “profesioni i inxhinierit kompjuterik është shumë i vlerësuar për momentin”.

Hamitaj tregon se, në përgjithësi, për programuesit ka “shumë” kërkesë për punësim dhe është një treg në rritje të vazhdueshme.

“Menaxher i punës sate”

Jo vetëm programuesit kanë terren të lirë për të punuar në distancë.

Një tjetër profesion i shumëkërkuar është edhe ai i grafik dizajnit.

“Puna në distancë zakonisht vjen me kohën që gjen për të punuar në dy apo më shumë kompani”, thotë profesionisti Arton Smajli.

Grafik dizajneri tregon për Albanian Post se “nuk mund të punohet njëherazi në dy kompani të ndryshme brenda ditës… njëra nga to duhet të jetë në distancë”.

Për Smajlin, vështirësitë lidhen më shumë me disiplinën. Të qenit korrekt përmes email-it ose telefonit.

“Koordinimi i punëve është më i vështirë se sa kur je prezent në kompani”, veçon ai.

Madje, ndonjëherë mundet që të mos ketë fare orar të përcaktuar. Mund të nisësh në orën 08:00 dhe të mbarosh në 01:00 pas mesnate.

“Duhet të jesh tejet vigjilent me kompaninë që punon sepse disa nuk japin kontrata dhe paga të rregullta në punën në distancë. Kjo ndikon pasi nuk ke kontratë tjetër me kompaninë, përveç email-it ose telefonit”, këshillon profesionisti.

Për sa u përket përparësive që ofrohet nga puna në distancë, Smajli dallon rritjen e nivelit të profesionalizmit.

“Të bën menaxher në punën tënde, duhet ta udhëheqësh veten, të bën më produktiv, kreativ, të bën të mendosh më shumë”.

“Kur i arrin të gjitha këto, CV-ja pasurohet dhe fillon të arrish një karrierë të kënaqshme ku je në syrin e kompanive të tjera. Nëse i arrin këto, gjithmonë shkon më lart në profesion”, ravijëzon ai.

Në fillim, pagesat nuk janë edhe aq të kënaqshme. Sipas tij, kjo ndodh nëse punohet me kompani nga Kosova ose Shqipëria, por me kalimin e kohës dhe paga fillon të rritet.

“Nëse punon për një kompani amerikane, gjermane apo suedeze, paga është e kënaqshme, duke shkuar nga shtatë deri në 15 euro për orë”, zbulon ai.

Smajli thotë se, në vendin tonë, çdo ditë ka rritje të tregut të punës në distancë, pasi kjo nënkupton të jetuarin në botën e digjitalizuar.

Por që mënyra e vlerësimit është jo e kënaqshme.

Kurse mundësitë që vijnë nga puna në distancë në vend të huaj janë të shumta.

“Është mundësia e zhvillimit të karrierës, të jesh i pavarur në punën që bën dhe respektohet mendimi, ideja, krijimi i punës sate”, dallon ai.

Megjithatë, grafik dizajneri tregon se një punë e tillë rekomandohet për ata individë që duan ta sfidojnë veten përballë shumë profesionistëve.

Ose që nuk duan të udhëtojnë çdo ditë te vendi i punës së tyre, por zgjedhin të punojnë nga shtëpia.

“Puna në distancë rekomandohet për ata që kanë vullnetin të tregojnë aftësitë e tyre dhe ta bindin kompaninë që janë të duhurit për ta kryer atë punë”, vijon ai.

Dhe, në fund të fundit, jo të gjithë kanë shije apo mendime të ngjashme.

E tillë, e larmishme, është edhe përzgjedhja e mënyrës së të punuarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore