Kreu i forcës mercenare të Rusisë Wagner, Yevgeny Prigozhin pretendoi se forcat e tij kanë hyrë në Rusi për të hequr udhëheqjen ushtarake të vendit.
Shërbimet ruse të sigurisë thanë se kishin hapur një hetim penal ndaj Prigozhin të premten për nisjen e asaj që ata e përshkruajnë si një kryengritje.
Prigozhin ka akuzuar prej kohësh udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Rusisë për dështime në luftën në Ukrainë dhe është i njohur për grindjen e tij të gjatë me ministrinë ruse të mbrojtjes.
Ja çfarë dimë për qëllimet e deklaruara të Prigozhin:
NATO po leh në derën tonë? Gënjeshtër!
Pushtimi? Të gjitha një justifikim.
Ukraina që na kërcënoi? Një gënjeshtër.
Dhe fjalët triumfale të Putin-it? Po ashtu.
Nuk e thotë kaq qartë, Yevgeny Prigozhin, por është sikur e ka thënë. Kreu i Grupit Wagner nuk mjaftohet më duke kritikuar “Operacionin Special” të Kremlin-it, ai që në Moskë para kujtdo guxoi ta quante luftë.
As për ta quajtur armikun e tij më të keq të brendshëm, Sergey Shoigu, ministrin rus të Mbrojtjes, të paaftë, të korruptuar dhe më të keqin.
Kësaj radhe “kuzhinieri i Putin-it” prek një temë tabu.
Në një video 30-minutëshe, të publikuar në kanalin e tij Telegram, ai shpjegon se si nuk është e vërtetë që gjithçka filloi 500 ditë më parë sepse NATO dhe ukrainasit ishin gati të sulmonin Rusinë.
“Asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodhi në prag të 24 shkurtit 2022”, thotë Prigozhin. “Ministria e Mbrojtjes po tenton të mashtrojë opinionin dhe presidentin. Dhe tregon historinë se ka pasur nivele të larta agresioni nga pala ukrainase. Dhe se do të na kishin sulmuar bashkë me të gjithë bllokun e NATO-s”, vazhdon ai.
Kjo është një nga arsyet që vetë Vladimir Putin deklaroi në fjalimin e tij të famshëm në prag të luftës.
“Operacioni Special u nis për një arsye krejtësisht tjetër”, thotë Prigozhin. Sepse “Kiev nuk e ka bombarduar Donbasin për tetë vjet”, siç kanë pretenduar muajt e fundit nga Moska dhe në shumë qarqe të Putinit, por “vetëm pozicionet ushtarake ruse”.
Sipas komandantit të mercenarëve – i cili vetëm të enjten (ndryshe nga njëzet organizata të tjera vullnetare) refuzoi të nënshkruante letrën “e turpshme” të anëtarësimit të Grupit Wagner në ushtrinë ruse – në atë kohë kishte të gjitha mundësitë për të negociuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe të shmangej kjo luftë që “sot po shkon keq”.
Prigozhin ka tre ditë që rrit dozën e akuzave.
Të mërkurën u kap sërish dhe drejtpërdrejt, me Shoigun dhe me fotot e djalit të këtij të fundit, i kapur duke bërë jetë qefi në Evropë, ndërsa bashkëmoshatarët e tij po vdesin në front.
“Me çfarë çmimi po e bëjmë këtë operacion special?”, pyeti veten në mënyrë polemike milioneri nga Shën Petersburgu.
“Asgjësimin total të ushtrisë? Për çfarë? Që ndonjë klloun të marrë medalje dhe familjarët e tij të jenë të paprekshëm? Kur të godasë fatkeqësia, Rusia do të zgjohet dhe do të zbulojë se edhe Krimea i është dorëzuar Kievit. Mund ta gjejmë veten pa ushtri dhe pa Rusi!”, deklaroi Prigozhin.
Të enjten, ankesat se ushtarët e Wagner nuk kanë marrë ende një medalje të vetme ushtarake, përveç kritikave me fokus te strategjia e gabuar.
Akuza të cilat tani përsëriten në video, për të mohuar versionet zyrtare që flasin për një ushtri ruse të fortë përballë kundërofensivës ukrainase.
“Ata po mashtrojnë popullin rus. Ata fshehin gjithçka. Zona të mëdha i janë dorëzuar armikut. Rusët po tërhiqen në zonat e Zaporizhzhias dhe Kherson, forcat ukrainase po përparojnë thellë në jug dhe në lindje. E njëjta gjë po ndodh me Bakhmutin, armiku do të depërtojë akoma”.
Pavarësisht nëse detaje të tilla janë të vërteta apo jo – sepse në Kiev njerëzit vazhdojnë të dyshojnë se këto kaskada fjalësh janë vetëm një lojë rolesh – shpërthimi i Prigozhin është konfirmimi i një kaosi të madh në zinxhirin komandues të Putinit.
Propaganda e Kremlinit, pretendon inteligjenca britanike, nuk është më në gjendje të bllokojë dhe kontrollojë të gjitha kundër-informatat që qarkullojnë në mediat sociale. Dhe ndjesia e disfatës është ajo që shumë e ndjejnë në Rusi.
Në Kremlin “duhet të falënderojnë njerëzit e mi”, thotë Prigozhin, sepse “unë kam filluar t’i stërvit në shkurt 2022, kur tashmë po pësonim disfata të turpshme”.
Dhe faleminderit Zotit shton ai, është Wagner që reziston sepse “Ushtria e dytë në botë është një flluskë sapuni që shpërthen”.
Marrë dhe përshtatur nga “Corriere della Sera” për Albanian Post
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com