Aplikacione

Prova se inteligjenca artificiale mund të projektojë rrokaqiejt e së ardhmes


Vizioni i arkitektit Manas Bhatia për të ardhmen është i guximshëm.

Në atë vizion të tij, rrokaqiejt e banimit të mbuluar me pemë, bimë dhe alga veprojnë si “kulla të pastrimit të ajrit”.

Arkitekti dhe projektuesi kompjuterik me bazë në New Delhi, në një seri imazhesh të detajuara, e ka sjellë në jetë idenë.

Ndërtesat e tij të imagjinuara përshkruhen të ngritura lart mbi një metropol futuristik, me format e tyre të lakuara të frymëzuara nga format që gjenden në natyrë.

Por fotot nuk janë tërësisht të imagjinatës së tij.

Projekti i tij konceptual “AI x Future Cities”, u ndihmua nga një mjet i imazhit të inteligjencës artificiale, Midjourney, që gjeneron fotografi të përpunuara bazuar në kërkesat e paraqitura.

Duke shfaqur fraza si “kulla futuriste” ose “teknologji utopike”, Midjourney dha një seri imazhesh digjitale që Bhatia i ndryshoi më tej duke përmirësuar kërkesat.

Bhatia ka treguar se mund të duhen deri në 20 minuta për të bërë secilën prej veprave të artit surreal.

Ai i rafinoi përshkrimet e tij thuajse 100 herë për çdo projekt, duke redaktuar dhe shtuar tekstin derisa të arrinte rezultatet e dëshiruara përpara se të pastronte imazhet duke përdorur Photoshop-in.

“Pjesa e provës dhe e gabimit është më argëtuese”, ka treguar ai.

Në një projekt tjetër, Bhatia imagjinoi një të ardhme në të cilën ndërtesat bëhen nga materiale të gjalla.

Duke përdorur kode si “gjigante” dhe “të zbrazëta”, ai prodhoi imazhe të asaj që ai e quajti një “e ardhme utopike” në të cilën apartamentet formohen brenda pemëve.

Ai thotë se është frymëzuar nga Hyperion, një dru i kuq 380 metra i gjatë në Kaliforni që mendohet të jetë pema më e lartë në botë.

Po ashtu u tërhoq nga puna e tij e përditshme në firmën indiane të arkitekturës Ant Studio, projektet e së cilës përfshijnë rinovimin e ndërtesave me fasada të reja për të inkurajuar ventilimin natyror dhe për të reduktuar konsumin e energjisë.

Për Bhatia, inteligjenca artificiale është vetëm një mjet tjetër.

“Arti është plotësisht i hapur për interpretim. Dhe një artist mund të përdorë çdo lloj mjeti për të krijuar art. Çdokush mund të përdorë inteligjencën artificiale, por ata nuk do të jenë në gjendje të arrijnë një rezultat aq të mirë sa një person krijues”, ka shtuar ai.

Ai parashikon një të ardhme ku inteligjenca artificiale të gjenerojë dizajne 3D dhe të integrohet në software-in që përdorin arkitektët për të modeluar krijimet e tyre.

Sipas tij, ka një potencial të jashtëzakonshëm.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore