Kosova

Protestojnë banorët e Shipitullës, kërkojnë shpronësimin e tokave


Pamje nga protesta e banorëve të Shipitullës

Banorë të fshatit Shipitullë të Komunës së Obiliqit, një zonë e njohur për nxjerrjen e qymyrit në Kosovë, kanë protestuar të mërkurën para zyrës së Korporatës Energjetike (KEK), duke kërkuar shpronësimin e tokave në këtë fshat.

Ata kanë treguar se përpos që po mungon infrastruktura, ka zhurmë të madhe, por edhe shtëpitë u janë dëmtuar.

Banori, Shemsi Mjeku, shpjegoi gjendjen në këtë rrethinë duke kërkuar që gjërat të ndryshojnë.

“Jemi mbetur në mëshirën e Zotit po kërkojmë drejtësi, po kërkojmë të na shpronësohet komplet fshati, tjera kërkesa nuk kemi vetëm të na shpronësohet fshati. Nuk ka jetesë aty mundeni me ardhë dhe me u bind, shtëpitë kanë nisur të dëmtohen dhe të çahen”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Edhe banori tjetër i fshatit, Arsim Mjeku, kërkoi veprime konkrete lidhur me këtë çështje dhe një takim me bordin e KEK-ut.

“Skënder Bucolli e ka lëshuar një komunikatë që nuk është aspak reale, të njëjtën e ka lëshuar në 2004, të njëjtën në 2008, 2013, 2016, 2020-tën, vetëm datat ia ndërrojnë. Kërkojmë me bordin një takim edhe shpronësimin e krejt fshatit e jona është një kërkesë që fshati jonë të zhvendoset, asnjë shtëpi mos më lënë aty”, tha Mjeku.

Ndryshe, banorët e Shipitullës, paralajmëruan se nuk do të largohen nga vendi ku po protestojnë, në rast se nuk deklarohet dikush nga bordi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore