Lajme

Protesta në Serbi, Bassuener: Politika e SHBA-ve në rajon ka qenë katastrofike


Ilustrim

Kurt Bassuener, ekspert nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit (DPC) dhe njohëz i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, ka konsideruar se politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në rajon ka qenë katastrofike, duke iu referuar shpërthimit të dhunës gjatë protestave masive të opozitës në Serbi.

Ai ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili citohet të ketë thënë se “zgjedhjet janë një stress test për demokracinë”, duke iu referuar zgjedhjeve të jashtëzakonshme qendrore të Serbisë të mbajtura më 17 dhjetor të këtij viti. Bassuener ka vlerësuar se rikonfigurimi i stafit diplomatik amerikan në rajon është i domosdoshëm.

“Duke pasur parasysh ngjarjet e mbrëmshme në Beograd, deklarata e ambasadorit Hill disa ditë më parë duket edhe më e neveritshme se sa ishte fillimisht. Shpresoj me siguri që Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, po rimendon politikën dhe gjendjen në terren – përfshirë personelin – në rajon, sepse deri tani ka qenë katastrofike”, ka shkruar Bassuener.

Një protestë e opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” është zhvilluar të dielën para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) në kryeqytetin serb, derisa qindra protestues kanë tentuar të futen brenda Asamblesë Komunale të Beogradit, duke thyer xhamat e dyerve dhe dritareve në shenjë revolte, duke nxitur reagimin e autoriteteve.

Policia e Serbisë, sipas raportimit të mediave në terren, ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, ndërsa janë arrestuar mbi 35 protestues e janë lënduar disa të tjerë, kërkesa e të cilëve është anulimi i zgjedhjeve dhe shpallja e një cikli të ri zgjedhor për shkak të parregullsive të raportuara gjatë procesit të votimit, veçanërisht në kryeqytetin serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore