Kosova

Propaganda e fundit nga Dreçun: FSK-ja po trajnohet nga Turqia në Shqipëri, për këtë negociuan Kurti e Rama në Gjermani


Milovan Dreçun

Kryetari i të ashtuquajturit “Komision për Kosovën” në Parlamentin e Serbisë, Milovan Dreçun, i njohur për teoritë e tij konspirative, së fundi ka thënë se Gjermania po ia “rreh” shpinën Qeverisë së Kosovës për t’i larguar barrikadat dhe për të ndërtuar “bazën e pestë ushtarake” në kufirin me Serbinë.

Njëri ndër korrierët kryesor të propagandës serbe, vlerësoi se takimi i fundit në Berlin mes dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama, me zyrtarët gjermanë u bë për të përgatitur “akte sekrete” për trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Dreçun pretendoi se FSK-ja tani po trajnohet nga Forcat Ushtarake të Turqisë në territorin e Shqipërisë për përdorimin e dronëve Bayraktar dhe tankseve, sepse sipas logjikës së tij, “do ta shfrytëzojnë këtë krizë të fundit për të instaluar përgjithmonë FSK-në në veri të Kosovës”.

“Çfarë do t’i ndihmojnë armët një formacioni ilegal në kundërshtim me Rezolutën 1244. Kjo tregon se Prishtina po përgatitet për një aksion serioz të policisë ushtarake”, propagandoi ai.

“Është e vërtetë se ata kanë qenë të pranishëm në dy raste në veri të Kosovës”, shtoi ai teksa i ka kërkuar llogari komandantit të KFOR-it.

Ndryshe, Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka, ka thënë në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu se Kosova po punon në vazhdimësi që të blejë dronë ushtarakë Bayraktar nga Turqia.

Damka ka deklaruar se Turqia ka një rol shumë të rëndësishëm në Ballkan dhe se po luan pjesën e vet për stabilitetin në rajon dhe veçanërisht në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos tash pas tensioneve në Veri.

Qeveria e Kosovës po punon për blerjen e dronëve ushtarakë Bayraktar, thotë ministri për agjencinë turke të lajmeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore