Kosova

Prokuroria vlerëson që s’ka elemente të veprës penale në sulmin e truprojës së Kurtit ndaj gazetares Dalloshi


Foto nga arkivi

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dalur me vendim lidhur me sulmin që ishte bërë nga truproja i Albin Kurtit drejt gazetares Blerta Dalloshi, sipas prokurorisë ky veprim i truprojës s’përbën vepër penale.

Ky vendim është marrë nga prokurori Kastriot Berisha i cili e ka arsyetuar vendimin e tij duk thënë se gazetarja nuk ka pasur intervistë të aranzhuar sipas tij “intervistat mund të zhvillohen vetëm kur ato aranzhohen”.

“Gazetarja i ka dalë në rrugë kryeministrit, por ai nuk ka dashur të deklarohet. I dyshuari e ka për detyrë të ruajë sigurinë dhe imazhin e kryeministrit, nuk ka provë që vërteton qëllimin e të dyshuarit që të lëndojë të dëmtuarën dhe të keqpërdorë autorizimet, sulmuesi ka deklaruar që e ka ngre për dorë gazetaren për t’ia ruajtur imazhin kryeministrit dhe se ka pranuar që edhe në të kaluarën ka bërë një gjë të tillë duke larguar mikrofona”, thuhet në arsyetimin e prokurorit Berisha.

Sulmi kishte ndodhur në muajin dhjetor dhe videoja ishte publikuar nga gazetarja Dalloshi.

Gazetarja Dalloshi, e kishte denoncuar rastin edhe në Inspektoratin Policor.

Lidhur me këtë sulm kishte reaguar edhe Asociacion i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke e dënuar sjelljen e papranueshme të mbrojtjes së afërt të kryeministrit.

“Në videon e publikuar nga kolegia, Dalloshi – Berisha, shihet një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt duke kapur dhe shtyrë nga dora gazetaren, teksa ajo përpiqet ta bëjë një pyetje për kryeministrin. Maltretimi në formë të tillë i gazetarëve është i papranueshëm, dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë”, thuhej në reagimin e AGK-së.

Po ashtu, ky asociacion kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që të hetojë sjelljen e personit në fjalë dhe gjithashtu nga kryeministri që ta dënojë këtë sjellje dhe të mundësojë që gazetarët të bëjnë pyetje në interes të publikut.

Por, që nga kryeministri Kurti s’kishte pasur asnjë reagim lidhur me këtë rast.

Punën e gazetarëve mbrojtja e Kurtit e kishte penguar edhe me 12 maj të 2023-së.

AGK-ja reagon për pengimin e punës së gazetarëve nga mbrojtja e Kurtit dhe Rizvanollit: Qeveria të mundësojë kushte elementare të punës për gazetarët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore