Kosova

Prokuroria e Kosovë ka ngritur vetëm një aktakuzë për krime lufte gjatë 2021


Foto: Ilustrim.

Prokuroria e Kosovës, ka ngritur vetëm një aktakuzë ndaj një personi për krime të luftës gjatë vitit 2021.

Kështu ka bërë të ditur Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës(FDHK), të enjten në konferencë për media, me ç’rast është prezantuar raporti vjetor nga monitorimi i gjykimeve mbi krimet e luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë gjatë vitit 2021.

Amer Alija nga FDHK, bëri të ditur se kanë monitoruar 50 seanca gjyqësore në rastet e krimeve të luftës dhe 20 seanca që lidhen me vepra penale që kanë prapavijë politike.

“Dy persona janë arrestuar me dyshimet për krime të luftës. Gjatë kësaj periudhe janë procesuar pesë raste kundër gjashtë personave. Në raportin vjetor për 2021 i përbën 13 analiza të proceseve gjyqësorë që ndërlidhen me krime të luftës 10 prej këtyre rasteve janë të krimeve të luftës”.

“Është i mjaftueshëm për ta përshkruar se gjendja nuk është e kënaqshme, ku vetëm një person është akuzuar për krime të luftës për vitin 2021. 70 persona janë dënuar nga institucionet në Kosovë”, ka thënë Alija.

Udhëheqësja e departamentit për krime lufte, Drita Hajdari, sqaroi se kanë sfida të mëdha në hetimin dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës.

Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës(FDHK) në konferencë për media.

“Prokuroria ka hetuar rastet ku e kemi siguruar praninë fizike të pandehurit. Ne nuk mund të ngrisim aktakuzë për personat që nuk janë të pranishëm. Kur thuhet që gjatë vitit 2021 është ngritur vetëm një aktakuzë, kjo mund të tingëllojë se nuk po punohet. Unë konsideroj që gjykimi në mungesë është i nevojshëm, edhe nga aspekti i drejtave të viktimave”, ka thënë ajo.

Në prezantimin e këtij raporti, morri pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott, i cili e konsideroi sfiduese vendosjen e drejtësisë.

“Shumë të mbijetuar kanë vdekur, ose janë shumë të moshuar që mund ta bëjë marrjen në pyetje të pabesueshme dhe të vështira. Trajtimi i këtyre sfidave është esencial. Kërkesa e familjarëve është që kryerësit e veprës të burgosen”.

Ai rikujtoi edhe personat të cilët janë dënuar deri tani për këto krime.

“Vetëm 213 persona janë akuzuar dhe vetëm 71 janë dënuar. 23 nga fundi i krimit, familjarët kanë të drejtë të dinë për fatin e familjarëve të tyre. Viktimat nuk duhet të jenë viktimë të politikës. Është mirë që dëgjojmë nga qeveria që kjo është prioritet nga këta. Ne gjithashtu mirëpresim rritjen e numrit të prokurorëve”, tha ai.

Në anën tjetër, shefi i seksionit për Çështje Juridike dhe Këshillimor për Sundimin e Ligjit në Zyrën e Bashkimit Evropian, Hakan Ejdevervik pohoi se janë duke mbështetur procesin me mbi katër milionë euro.

“Katër raste janë që nga viti 2018 dhe këto janë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe asnjë seancë nuk është mbajtur për këto raste”, ka theksuar ai, derisa ka folur për proceset gjyqësore.

Më 16 maj të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës, kishte miratuar rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid.

Për hartimin e kësaj Rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të Rezolutës.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore