Kosova

Prokuroria e fton për intervistim, Kurteshi: A po ri-fillon hetimi – apo po bëhet përpjekje për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit?


Sami Kurteshi

“A po ri-fillon hetimi i njëmendtë i rastit Dehari nga Prokuroria Speciale? Apo po bëhet përpjekje e njëmendtë për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit?

Kështu ka shkruar në Facebook anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, pasi ka njoftuar se është ftuar për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale për të martën e 20 gushtit në lidhje me deklaratat e bëra në konferencën për media të mbajtur para organit të akuzës me rastin e pensionimit të prokurorit Afrim Shefkiut, i ngarkuar me rastin e Astrit Deharit.

“Pas marrjes në pyetje të Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale si dëshmitare për rastin, pas deklarimit publik në rrjetet sociale, në lidhje me rastin Dehari, po për deklarimin publik në konferencë për media për rastin Dehari, më thirr për marrje në pyetje edhe mua”, ka potencuar ai.

“Sidoqoftë, Drejtësia për Astritin do të arrijë. Koha vonon, por e drejta nuk shuhet! E drejta domosdo del në shesh”, ka shtuar Kurteshi i cili më 12 gusht ka akuzuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin kosovar, Kadri Veseli, duke pretenduar se të njëjtët kanë dhënë urdhër “për vrasjen” e aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, në vitin 2016.

Kurteshi – pa asnjë provë – ka akuzuar institucionet kosovare, përfshirë policinë dhe Agjencinë Kosovare të Intelegjencës (AKI), duke thënë se ata kanë qenë të përfshirë në “inskenim” të rastit.

Gjithashtu, ai ka akuzuar edhe prokurorinë për “zvarritje” të rastit, duke theksuar se pesë prokurorë që janë marrë me zbardhjen e rastit Dehari kanë qenë në prag të pensionimit.

“Urdhri ‘për vrasje’ ka qenë politik nga maja e shtetit, fatkeqësisht në atë kohë nga presidenti i vendit dhe kryekuvendari që edhe në mjete të informimit kanë pranuar se është vrasje rasti i Deharit dhe ata kanë dhënë urdhër të drejtpërdrejt për veglat e tyre në prokurori, gjykatë, AKI e polici, për ta inskenuar rastin”, pati deklaruar Kurteshi në konferencë.

“Nuk mund të fshihet një krim i vrasjes duke shkuar në pension dhe duke i lënë punët në gjysmë… strategjia e prokurorisë: zvarritja e rastit, bartja e rastit te prokurorët parapensionistë që dorëzojnë stafetën e krimit nga njëri tek tjetri – rasti nuk mund të zvarritet në përjetësi, do të zbardhet”, ka shtuar ndër të tjera ai – sërish – duke mos dhënë asnjë dëshmi të vetme.

Aktivisti i LVV-së ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai dyshohej për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Në raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, më 1 prill 2022, është thënë se analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveçse të vetë atij.

Asgjë e re, Vetëvendosje flet prapë për Astrit Deharin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore