Njerëzit mund të kenë shkuar në hënë, por ende nuk kanë njohje të plotë mbi trupin e tyre.
Të kuptuarit se si struktura e trurit, kimikatet dhe lidhshmëria ndërveprojnë për të prodhuar mendimet dhe sjelljet, mungon.
Megjithatë, kjo nuk vjen nga mungesa e ambicies, ravijëzon faqja “The Conversation”.
Kanë kaluar afro tetë vjet nga nisja e Projektit të Trurit Njerëzor (HBP) në Evropë, i cili synon të zbulojë misteret e trurit.
Paçka fillimit të vështirë, projekti ka bërë zbulime dhe inovacione të rëndësishme për trajtimin e çrregullimeve klinike, si dhe përparimet teknologjike.
Dhe ka dy vjet të tjera për të kaluar.
Deri më tani, projekti ka krijuar EBRAINS, një infrastrukturë kërkimore të hapur, të ndërtuar mbi përparimet shkencore dhe mjetet e zhvilluara nga ekipet kërkimore të projektit.
Këtë, duke i vënë ato në dispozicion të komunitetit shkencor përmes një platforme të përbashkët digjitale, e cila është një arritje e re për kërkime bashkëpunuese dhe instrumentale.
Atlasi i trurit të njeriut
Projekti ka krijuar një atlas unik të trurit njerëzor me shumë nivele bazuar në disa aspekte të organizimit të trurit, duke përfshirë strukturën e tij në shkallët më të vogla, funksionin dhe lidhshmërinë e tij.
“The Conversation” tregon se atlasi ofron një numër të madh mjetesh për të vizualizuar të dhënat dhe për të punuar me to.
Ndërkaq, studiuesit mund të nxjerrin automatikisht të dhëna nga atlasi, duke përdorur një mjet të veçantë për të drejtuar një simulim për modelimin e trurit të pacientëve të veçantë.
Dhe kjo mund të ndihmojë në informimin e mjekëve për opsionin optimal të trajtimit.
Sinapset në hipokampus
Duke përdorur mikroskopinë elektronike, teknikë për të studiuar indet e trurit në rezolucion të lartë, studiuesit kanë publikuar harta të hollësishme 3D të afro 25 mijë sinapseve – sinjale elektrike dhe kimike midis qelizave të trurit – në hipokampusin njerëzor.
Kjo pjesë e trurit është e përfshirë në kujtesë, mësim dhe lundrim hapësinor dhe një nga zonat e para që u dëmtua në sëmundjen e Alzheimerit.
Ndërkohë, projekti i trurit njerëzor është i pari që siguroi një pamje të detajuar të strukturës sinaptike në këtë zonë të rëndësishme të trurit.
Kjo mund të lejojë një kuptim më të mirë të sëmundjeve të tilla si demenca, si dhe të ofrojë ndihmë në zhvillimin e modeleve llogaritëse të trurit.
Duart robotike
Për shkak të kompleksitetit, dora e njeriut është një nga pjesët më të vështira të trupit për t’u imituar, shkruan “The Conversation”.
Teksa fëmijët e vegjël mund të marrin dhe manipulojnë sende, të tilla si një filxhan me ujë, ky ka rezultuar një problem shumë i vështirë për duart e robotëve.
Kompania Shadow Robot, e cila merr pjesë në Projektin e Trurit të Njeriut, ka hartuar dhe zhvilluar duar robotike shumë të shkathëta për të imituar dorën e njeriut.
Lidhur me një nga shpikjet e fundit të kompanisë, ajo është dora e parë në botë e bazuar në prekje telerobot. Ajo ka 129 sensorë dhe 24 nyje dhe ka lëvizje shumë të ngjashme me ato të duarve të njeriut.
Krahasuar me duart e mëparshme robotike, këto të fundit lejojnë përdorimin ideal të forcës dhe manipulim shumë më të imët të objekteve.
Shpikja do të jetë e rëndësishme në industri përfshirë prodhimin, eksplorimin e hapësirës, mjekësinë dhe punën në mjedise të rrezikshme.
Ndërkohë, shkencëtarët e HBP dhe Shadowrobot po punojnë së bashku për t’i dhënë duarve robotike një shkathtësi edhe më të ngjashme me njeriun, me ndihmën e rrjeteve nervore.
Një kompjuter i frymëzuar nga neuronet
Truri i njeriut përfshin gati 100 miliardë qeliza të ndërlidhura të trurit, prandaj dhe është i vështirë modelimi.
Ndërkohë, llogaritja novatore ka ndihmuar në të kuptuarit më tej, duke simuluar shkëmbimin e sinjaleve midis neuroneve.
Megjithatë, edhe software-i më i mirë i ekzekutuar në superkompjuterët më të shpejtë deri më sot, mund të simulojë vetëm një për qind të trurit të njeriut.
SpiNNaker me një milion procesorë, krenohet me 100 milionë transistorë në secilën prej 30 mijë çipat e saj.
“The Conversation” dallon se një çip i tillë mund të simulojë 16 mijë neurone dhe tetë milionë sinapse në kohë reale. Çka është më mirë se software-i më i mirë i simulimit të trurit që përdoret aktualisht për hulumtime të sinjalizimit nervor.
Por ky është veç fillimi.
SpiNNaker unik nuk komunikon duke dërguar sasi të mëdha informacioni nga pika A në B përmes një rrjeti standard.
Në vend të kësaj funksionon më shumë si truri i njeriut dhe dërgon miliarda sasi të vogla informacioni njëkohësisht në mijëra destinacione të ndryshme. Kjo, duke rimenduar plotësisht mënyrën e punës së kompjuterëve tradicionalë.
Ai ka potencialin për të kapërcyer problemet e shpejtësisë dhe konsumit të energjisë të superkompjuterëve konvencionalë.
Dhe mund të avancojë të kuptuarit mbi përpunimit nervor në tru, përfshirë të mësuarit mbi sëmundjet neurologjike të tilla si Alzheimer.
Pacient virtual epileptik
“The Conversation” dallon se një tjetër aplikim i rëndësishëm EBRAINS ka qenë zhvillimi i një pacienti epileptik virtual (VEP).
Ai ka të bëjë me një program kompjuterik të bazuar në modele të personalizuara të rrjetit të trurit nga pacientë individualë.
Modeli siguron një parashikim të personalizuar të ndikimit të një trajtimi kirurgjikal për një pacient të caktuar. Kirurgu është pastaj në gjendje të vlerësojë ndikimin e strategjive të ndryshme terapeutike dhe të përcaktojë opsionin më të mirë të trajtimit, me rezultatin më të suksesshëm.
Ndërkohë, programi është afër publikimit komercial.
Prodhimi shkencor
Deri në shtator 2021, 1 mijë e 497 artikuj të revistave citojnë Projektin e Trurit Njerëzor, tregon “The Conversation”.
Në vitin 2018, studiuesit botuan punë mbresëlënëse në neuroteknologji për rivendosjen e ecjes në pacientët me dëmtim të palcës kurrizore.
Në vitin 2020, një ekip botoi në “Science” atlasin më gjithëpërfshirës mbi arkitekturën qelizore të trurit.
Në të njëjtin vit, studiuesit zbuluan një lloj specifik të potencialeve të veprimit në qelizat e trurit të njohura si qeliza piramidale dhe zbuluan një mekanizëm të rëndësishëm të kujtesës në hipokampus.
E ardhmja i përket “largpamësisë”, e cila është praktika e shikimit përpara për të parashikuar zhvillimet dhe ndryshimet e mundshme në të ardhmen.
Mbase një ditë do të arrihet njohja e plotë e trurit të njeriut dhe mbase do të zbulohen trajtime të reja për sëmundjet neurologjike dhe çrregullimet psikiatrike.
E lehtë nuk do të jetë, parashikon “The Conversation”, madje, as më e lehtë se shkenca e raketave që shkojnë drejt hënës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com