Kompania amerikane e automjeteve, Ford, po prezanton një projekt të ri për të ndihmuar klientët e vet tregtarë ta kthejnë vëmendjen drejt automjeteve elektrike.
Ford-i po e zbaton këtë projekt duke u shitur atyre pajisje instalimi të karikimit të makinave elektrike, si dhe mjete të menaxhimit të software-it.
Faqja “The Verge” zbulon se kompania është në pritje të shitjeve të mbi 300 mijë automjeteve elektrike për bizneset dhe agjencitë qeveritare gjatë dekadës së ardhshme.
Për të ndihmuar në lehtësimin e tranzicionit, Ford-i ka caktuar projektin e quajtur Ford Pro Charging, i cili do të ofrojë software dhe hardware të nevojshëm për të ndihmuar në karikimin te automjetet elektrike.
Automjetet komerciale do të vijnë së bashku me software-in që e bën më të lehtë për pronarët e flotës të mbajnë shënime për vendndodhjen, statusin e tarifimit ose mbarëvajtjen e automjeteve të tyre.
Ai do t’i ndihmojë operatorët e flotës tregtare të kuptojnë se kur, ku dhe sa shpesh do t’u duhet të karikojnë automjetet elektrike, në varësi të llojeve të energjisë që shpenzohen.
Gjithashtu do t’i ndihmojë ata të trajtojnë disa nga çështjet më të pazakonta që mund të shfaqen teksa kalojnë në automjete elektrike.
Për shembull, disa punëtorë i marrin automjetet e flotës së tyre në shtëpi natën, mbushin vetë rezervuarin e gazit dhe rimbursohen nga punëdhënësi i tyre.
Më parë, Ford-i ka deklaruar se do të ndihmojë në instalimin e karikuesve në shtëpi për ata punëtorë, duke pasur në software-in e flotës një mënyrë për t’i lejuar punëdhënësit të rimbursojë punëtorët për koston e tarifimit në shtëpi.
Muffi Ghadiali, kreu i Ford Pro Charging, ka treguar se mekanizmi i ri llogarit një mori variablash dhe kontrollon çdo stacion karikimi saktësisht për të optimizuar kostot e energjisë dhe për të siguruar kohën e funksionimit të automjetit.
Ndërkaq, klientët do të abonohen në platformën software-ike të kompanisë, çka nënkupton se Ford-i do të jetë në gjendje t’i llogarisë në tarifat e abonimit si të ardhura të përsëritura.
Kurse lidhur me shumën që paguan çdo klient, ajo bazohet në numrin e automjeteve ose portave të karikimit që ka në funksion, si dhe një sërë variablash të tjera.
Nga ana tjetër, kompania do të ndihmojë në instalimin e stacioneve të karikimit, qoftë në shtëpinë e një klienti ose në një depo për automjetet e flotës.
Ajo do të instalojë portat e karikimit të shpejtë AC ose DC, në varësi të nevojave të klientit. Dhe për këtë, Ford-i po punon me një numër furnizuesish të ndryshëm.
Sipas “The Verge”, lëvizja vjen teksa kërkesa për makina elektrike komerciale ka të ngjarë të jetë e madhe gjatë dekadës.
Nën administratën e presidentit Joe Biden, vetëm qeveria federale ka të ngjarë të shpenzojë miliarda dollarë për të blerë qindra mijëra automjete elektrike.
E gjitha në mënyrë që të përmbushë urdhrin ekzekutiv për të arritur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com