Lajme

Prodhuesit kinezë po pushtojnë tregun rus të makinave


Prodhuesit kinezë të makinave po pushtojnë me shpejtësi tregun rus, pas eksodit të prodhuesve evropianë, amerikanë, japonezë dhe koreanë, njoftoi kompania franceze e konsulencës për sektorin e automobilave Inovev.

Kina ka ndërhyrë për të mbushur boshllëkun e krijuar nga tërheqja e markave të njohura të huaja pasi fuqitë perëndimore vendosën sanksione ekonomike ndaj Moskës për pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, transmeton Al Jazeera.

Analiza e tregut nga një kompani konsulente franceze tregoi se prodhuesit kinezë të makinave aktualisht kanë një pjesë prej 42 për qind të shitjeve të makinave të reja në Rusi.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, sipas ekspertëve të industrisë së automobilave, tregu rus ra nga mesatarisht 140 mijë automjete të shitura në muaj në pothuajse 40 mijë në muaj.

Prodhuesit rusë të makinave janë mbajtur mirë pavarësisht turbullirave ekonomike, tha Inovev, por vëllimi i shitjeve të kompanive kineze tani është i barabartë me atë të prodhuesit më të madh rus të makinave, AvtoVAZ.

Sipas të dhënave të Inovovo, në tremujorin e parë të këtij viti, markat kineze kanë shitur 64 mijë e 432 makina dhe automjete të lehta ekonomike.

Për krahasim, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë shitur 24 mijë e 734, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2021 janë shitur 18 mijë e 981 prej tyre, njofton kompania konsulente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore