Shëndet

Problemet e shëndetit mendor, pjesë e pandashme e disa prej artistëve të Hollywood-it


Çrregullimet e ankthit prekin rreth 3.6 për qind të popullsisë së botës bazuar në statistikat e nxjerra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e në këtë përqindje pjesë bën edhe një numër i madh i artistëve të cilët ani pse bëjnë një jetë luksoze, nuk arrijnë t’i ikin dot problemeve shëndetësore.

Madje, ankthi si fenomen është mjaft i zakonshëm në Hollywood marrë parasysh edhe natyrën kërkuese të punës së fytyrave publike si dhe problemet me menaxhimin e kohës dhe çrregullimet me orarin e gjumit.

Marrëveshjet dhe oraret e rrepta të nënshkruara me kompanitë diskografike bëjnë që shumë prej artistëve më eminentë në botë të përballen me probleme të natyrës së shëndetit mendor.

Ndërsa personat të cilët qëndrojnë në krye të këtyre kompanive kanë në fokus performancat e artistëve dhe jo shëndetin ose mirëqenien e tyre.

Disa nga problemet me të zakonshme që figurat publike hasin gjatë zhvillimit të karrierës së tyre janë orët e gjata që ata shpenzojnë në sete fotografike, koncertet deri në orët e para të mëngjesit, turnet e njëpasnjëshme si dhe praktika dhe realizime për orë të tëra nëpër studio.

Albanian Post ju sjell një listë me artistë të cilët e kanë pohuar publikisht se kanë probleme me ankth dhe panik, por ani pse ndeshen me këto probleme, kjo nuk i ka penguar ata asnjëherë të vazhdojnë rrugën duke lulëzuar repertuaret e tyre.

Lady Gaga

Lady Gaga.

Ylli i hitit “Alejhandro” ka folur rreth problemeve të saj me shëndetin mendor gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Billboard” në vitin 2015, ku kishte deklaruar se ka probleme me depresion dhe ankth.

“Kam vuajtur nga depresioni dhe ankthi tërë jetën time. Unë ende vuaj çdo ditë. Unë thjesht dua që këta fëmijë  e të rritur, të cilët e provojnë këtë ndjenjë, të qetësohen dhe ta kujtojnë se shumë të tjerë bashkëndajnë problemin e njëjte” tha Gaga.

Fituesja e shumë çmimeve “Grammy”, e lindur si, Stefani Joanne Angelina Germanotta, krijoi Fondacionin “Born This Way” në vitin 2012.

Qëllimi i krijimit të këtij fondacioni ishte për të ndërtuar komunitete të fuqizuara dhe për të përmirësuar burimet e shëndetit mendor për të moshuar e të rinj.

“Unë e pranoj hapur që kam luftuar me depresionin dhe ankthin dhe mendoj se shumë njerëz e bëjnë këtë,” tha Gaga në një intervistë të vitit 2016 për “The Mirror”.

Ariana Grande

Ariana Grande

Sulmi terrorist i bombardimeve që ndodhi në maj të vitit 2017 në “Manchester Arena” të Mbretërisë së Bashkuar”, gjatë koncertit të Ariana Grandes, e la këtë të fundit me probleme shëndetësore.

Në një intervistë për “Vogue”, Grande, ka treguar se që nga ajo kohë, kishte përjetuar simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD).

“Unë gjithmonë kam pasur ankth, por kurrë nuk kam folur rreth tij. Kur u ktheva në shtëpi pas koncertit të tmerrshëm në Manchester, e pash që ky problem qenka më i ashpër sesa që e mendoja ndonjëherë”, shpjegoi ajo.

Ani pse sot këngëtarja është e martuar me Dalton Gomez, në të kaluarën ajo ka pasur një sërë lidhjesh dhe romancash dashurie të dështuara.

Shumë njerëz dyshojnë se “ndarja” e Grandes nga ish partnerët e saj ishte e lidhur me krizat e saj të ankthit që pas koncertit në Manchester.

Por, gjithsesi, Ariana, ka arritur ta menaxhojë mirë pjesën e problemeve të shëndetit të saj mendor, teksa nuk ka ndaluar së prodhuari këngë dhe albume, të cilat rezultuan super të suksesshme.

Zayn Malik

Zayn Malik

Ish këngëtari i “One Direction”, Zayn Malik, kishte publikuar një artikull të shkruar nga vetë ai për “Times”, teksa brenda tij kishe paraqitur arsyet e bërjes publike të problemeve të tij me ankth.

“Ankthi nuk është asgjë për t’u turpëruar, prek miliona njerëz çdo ditë. Unë e di që kam shumë fansa të cilët kanë kaluar edhe këtë lloj gjëje, dhe doja të isha i sinqertë për hir të tyre”, kishte shkruar ai.

Të qenit solo këngëtar i një grupi sensacion siç ishte “One Direction”, i pati sjellë Malik, probleme të vazhdueshme me stresin dhe ankthin.

“Kur Unë isha në ‘One Direction’, problemet e mia të ankthit ishin të mëdha por, brenda rrjetës së sigurisë së bendit, ato ishin të paktën të menaxhueshme”.

“Si një interpretues solo, ndihesha shumë më i ekspozuar, dhe stresi psikologjik i performancës sapo ishte bërë problem i madh për mua dhe vështirë i trajtueshëm”, pati thënë ai.

Kesha

Kesha

Gjatë sezonit të festave të vitit 2017, edhe Kesha, kishte publikuar një artikull për “The Time” , ku kishte përshkruar se sa të vështira mund të jenë pushimet kur luftoni me një sëmundje mendore.

“Ishte periudha gjatë pushimeve kur u godita nga një sërë çrregullimesh, prandaj vendosa të flisja me nënën time” shkroi këngëtarja.

Në vitin 2014, Kesha paditi producentin, Luke, për abuzim verbal, fizik, emocional dhe seksual, e që ishte mes rasteve kryesore që e bëri artisten të kalojë nëpër faza depresioni dhe problemeve me ankthin.

“Unë kam luftuar shumë gjëra, përfshirë ankthin dhe depresionin. Të gjesh forcën për të dalë përpara për ato gjëra nuk është e lehtë. Por mbase, duke treguar historinë time, unë mund të ndihmoj dikë tjetër që kalon kohë të vështira”, u shpreh artistja.

Selena Gomez

Selena Gomez

Në vitin 2016, ylli i popit Selena Gomez bëri një pushim në karrierë për shkak të sulmeve të panikut, depresionit dhe ankthit të lidhur me lupusin e saj.

Pastaj në tetor të vitit 2018, mediat raportuan se ajo kërkoi trajtim për shëndetin e saj mendor pasi pësoi një sulm paniku ndërsa ishte në spital si pasojë e numrit të ulët të qelizave të bardha të gjakut.

Mungesa e qelizave të bardha të gjakut është një ndërlikim që shpesh shoqërohet me transplantim të veshkave dhe pacientëve me lupus, një të tillë e kishte bërë edhe vetë Selena, e cila kishte pranuar transplant të veshkave nga shoqja e saj e ngushtë, Francia Raisa.

Në një intervistë dhënë për “Harper’s Bazaar”, në vitin 2018, Selena Gomez, kishte folur për shëndetin e saj mendor teksa ishte shprehur se:

“Unë kam pasur shumë çështje me depresionin dhe ankthin dhe kam qenë shumë e zëshme për këtë, por nuk është diçka që ndiej se do ta kapërcej ndonjëherë”.

“Unë dua të sigurohem që jam i shëndetshëm. Nëse është mirë, gjithçka tjetër do të vijë në vend”, ishte shprehur ylli i hitit “Same old love”.

Madje, Gomez, po ashtu ishte producente në serinë e Netflix, “13 Reasons Why”, një dramë adoleshente rreth çështjeve të shëndetit mendor dhe vetëvrasjes.

Këta janë vetëm disa nga artistët, të cilët ndanë me publikun historitë e tyre të shëndetit mendor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore