“Shëndeti mendor është më shumë se mungesa e një çrregullimi mendor, është thelbësor për shëndetin e përgjithshëm dhe cilësinë e jetës”.
Kështu e ka nisur shpjegimin e saj mbi shëndetin mendor psikologia klinike, Destemona Çelo.
Më tej, ajo thotë se “është më shumë se mungesa e një çrregullimi mendor, pasi ky i fundit përkufizohet si diagnozë që përmbush kriteret sipas sistemeve të klasifikimit psikiatrik”.
Kurse shëndeti mendor përshkruhet si një gjendje ku individi ka një funksionim efektiv, realizon qëllimet e tij, arrin të tregojë aftësitë e tij në shkollë, punë, komunitet dhe mund të përballojë ngjarje stresuese gjatë të përditshmes.
“Përfshin mirëqenien emocionale, psikologjike dhe sociale. Përfshin mirëqenien subjektive, vetefikasitetin e perceptuar, autonominë, kompetencën dhe vetaktualizimin e potencialit intelektual dhe emocional”, ravijëzon ajo.
Referuar evidencave epidemiologjike dhe raporteve klinike, prevalenca e çrregullimeve mendore është e lartë.
Në çdo moment, afro 20 për qind e popullsisë në moshë pune, vuan nga një çrregullim mendor në kuptimin klinik.
Ndërkohë, shëndeti mendor përfshin “aftësinë e një individi për të mbajtur një ekuilibër midis aktiviteteve të ndryshme gjatë një dite”.
“Ndikon në mënyrën se si mendojmë, ndjehemi, veprojmë, bëjmë zgjedhje dhe atashohemi me të tjerët”, ka treguar ajo.
Në të thella të problemit
Gjatë një vlerësimi psikologjik mund të kuptohet në lidhje me simptomat e manifestuara. Dhe dy komponentët që psikologët vlerësojnë për të diagnostikuar një individ janë kohëzgjatja e simptomave dhe intensiteti i tyre.
“Në vendin tonë, individët përjetojnë çrregullime të ndryshme, si neurotike dhe psikotike”, ka zbuluar Çelo.
Më të shumtat, sipas saj, janë çrregullimet e humorit, çrregullimet neurotike dhe çrregullimet e përdorimit të substancave.
Ndërkaq, nëse këto çrregullime nuk marrin trajtimin e duhur, mund të evoluojnë dhe ashpërsia e tyre mund të rritet.
“Çdo problem i shëndetit mendor edhe nëse nuk i përmbush kriteret për të qenë një çrregullim sipas kritereve diagnostike të përcaktuara ka nevojë për të qenë në vëmendje nga profesionistë të shëndetit mendor”, ka theksuar psikologia.
Madje, kur është e nevojshme, mund të kombinohet terapia me medikamente së bashku me terapinë psikologjike, në mënyrë që individi të arrijë sërish të ketë funksionim të mirë dhe mirëqenie të lartë psikologjike.
“Vetëkujdesi mund të luajë një rol në ruajtjen e shëndetit tuaj mendor dhe të ndihmojë në trajtim, mbështetjen, nëse përjetoni shqetësime ose probleme mendore”, ka thënë ajo.
Kujdesi për veten, sipas saj, do të thotë të gjendet pak kohë për të bërë gjëra që ndihmojnë në të ndjerin mirë, si dhe të përmirësohet shëndeti fizik dhe mendor.
Por, nuk është për të gjithë e njëjta mënyrë vetëkujdesi funksionale.
Çelo ka treguar se secili ka një mekanizëm që e përdor për t’u qetësuar, për të arritur balancat dhe ekuilibrat psikologjikë në të gjitha fushat e jetës.
Këshilla e saj është që, nëse vërtet është e nevojshme ndihma e profesionistit të shëndetit mendor, duhet të merret.
“Nëse vini re se keni një ndryshim te rutina juaj, si vështirësi për të fjetur gjumë, ndryshime në zakonet e të ushqyerit, në sjelljen tuaj me të tjerët, ose vini re ndryshime te fëmijët, është koha për të kërkuar ndihmë”, ka apeluar psikologia.
Sepse psikoterapia eksploron mendimet, ndjenjat dhe sjelljet, si dhe kërkon të përmirësojë mirëqenien e një individi.
Rasti shqiptar
Por meqë është “luks” që çdo shtëpi ta ketë një psikolog, mjafton të mësohet një aftësie e re prindërore, një mënyrë për edukimin shëndetësor, mënyrë vetëkujdesi, mënyrë për menaxhimin e zemërimit dhe teknika për stabilizimin emocional.
Ekzistojnë prova të shumta empirike epidemiologjike dhe klinike se stigma e njerëzve për problemet e shëndetit mendor ka ekzistuar, ekziston dhe do të jetë gjithmonë.
Ama për shkak të ndërgjegjësimit më të madh të publikut, mjeteve më të sofistikuara diagnostike dhe trajtuese, “stigma edhe në Shqipëri po reduktohet gradualisht”.
Për Çelon, arsyet pse individët stigmatizojnë janë të shumta.
Ato përfshijnë mungesën e informacionit për çrregullimet mendore dhe rëndësinë e psikologut, perceptimet e gabuara lidhur me keqinformimin dhe interpretimin e gabuar të situatave apo historive.
“Dua të përmend frikën nga refuzimi i të tjerëve, konkretisht i individëve që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, të cilët auto-stigmatizojnë veten dhe shmangin trajtimin e problemeve”, ka dalluar ajo.
Në këtë mënyrë, ata rrisin vuajtjen e tyre, edhe pse e bëjnë pa qëllim.
“Të kesh në familje një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor nuk është krim, as turp. Çdo njeri ka të drejtë të kuptohet pse vuan, cilët janë faktorët që e kanë bërë të vuaj dhe ka të drejtë të ndihet i pranuar dhe të ndihmohet nga mjedisi i afërt familjar dhe nga e gjithë shoqëria”.
Me këtë e ka përmbyllur idenë e vet psikologia klinike Çelo.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore