Shqipëria

Prindër dhe fëmijë protestojnë për mbylljen e kopshtit “Zübeyde Hanım”


Dhjetëra prindër kanë protestuar së bashku me fëmijët e tyre para shkallëve të Kryeministrisë.

Kjo, kundër mbylljes së kopshtit “Zübeyde Hanım”, si pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal Education”.

Sipas prindërve, argumentet prapa mbylljes së këtij institucioni privat nuk qëndrojnë.

Kjo, pasi kopshti në fjalë ishte ndër më të mirët në Republikën e Shqipërisë.

Janë 253 fëmijë që penalizohen nga ky vendim i qeverisë.

Protesta po organizohet nën sloganin “Reago për fëmijën tënd, Protesto për padrejtësinë”.

Kujtojmë se disa ditë më parë, prindërit e fëmijëve të këtij institucioni firmosën një peticion dhe e dorëzuan në MAS për anulimin e vendimit.

Një javë më parë, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy”.

Në vendim thuhej se miratimi është marrë me propozimin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe është firmosur nga zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku.

Qeveria i kërkon fondacionit që të paguajë të gjitha detyrimet për nxënësit që do të transferojnë programin mësimor.

Vendimi detyron drejtorinë arsimore të krijojë një grup pune brenda 3 ditësh për të mbyllur shkollën private si dhe të kujdeset për transferimin e nxënësve në shkolla të tjera.

Nxënësit e kolegjit privat ‘Mehmet Akif’, protestuan më 26 shtator me pankarta në duar para Kryeministrisë kundër mbylljes së shkollës.

“Mbyll një derë shkolle, hap një derë burgu”, “Po godisni brezin e ardhshëm”, shkruhej në pankartat e tyre.

Një reagim ndaj protestës ka ardhur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ku përmes një postimi në Twitter shprehet se “nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht”.

Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera.

Qeveria vendos të mbyllë kolegjin turk ‘Mehmet Akif Ersoy’

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore