Libra

Princi William mbështetës ndaj personave që kanë humbur njerëzit e zemrës


Princi William i Uellsit ka dërguar një mesazh prekës për ata që kanë humbur njerëz të zemrës, duke iu referuar vdekjes, derisa ka thënë se ndihma mund të vijë përmes ndarjes së përvojave.

Fjalët e William vijnë në një parathënie të një broshure të përgatitur nga Organizata Bamirëse e Ambulancës Ajrore të Londrës dhe përmban historitë e 12 familjeve që kanë humbur të dashurit, shkruan People, transmeton AlbanianPost.

William, 41 vjeç, nëna e të cilit, Princesha Diana, vdiq në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 15 vjeç, ka thënë se “humbja e një personi të dashur ka potencial të jetë shumë e vështirë”.

Princesha Diana dhe Princi William.

“Nuk ka dy përvoja të humbjes të njëjta. Humbja e papritur e një personi të dashur mund të jetë thellësisht e vështirë për t’u përpunuar, edhe me kalimin e kohës.  Megjithatë, një ngushëllim mund të gjendet përmes shkëmbimit të përvojës”, ka shkruar ai.

“Familjet që kanë kontribuar në këtë broshurë kanë ndarë kujtimet, mendimet dhe ndjenjat më të çmuara. Unë do të doja t’i falënderoja ata që u hapën dhe na lejuan në udhëtimin e tyre shumë personal”, shtoi ai.

“Shpresoj se kjo broshurë do të ofrojë njëfarë ngushëllimi dhe mbështetje dhe se mund t’ju duket e dobishme. Për ata që e lexojnë këtë, të cilët janë të humbur dhe bota e të cilëve tani është shumë ndryshe, mendimet e mia janë me ju”, përfundoi ai.

Organizata bamirëse thotë se shpreson se broshura e re do të jetë “një udhërrëfyes dhe një ngushëllim për ata që mund ta gjejnë veten duke e përjetuar rëndë humbjen një personi”.

Broshurat do t’i ofrohen falas kujtdo që mund të përfitojë prej tyre, në një kohë të përshtatshme për ta qoftë si individ, familje, mik apo profesionist.

Përndryshe, William sapo është kthyer nga disa ditë të suksesshme në New York, ku promovoi çmimin e tij “Earthshot” dhe shfaqi ide të reja që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e disa problemeve të planetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore