Shqipëria

Presidenti Begaj dekreton lëvizjet e ministrave në kabinetin qeveritar


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekretuar të shtunën e 9 shtatorit shkarkimin e ministrave që largohen nga detyra, dhe njëkohësisht emërimin në detyrë të ministrave të rinj.

Lajmi u bë i ditur nga Presidenca shqiptare, duke cituar njoftimin për shtyp.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zëvendësoi më herët shtatë drejtues dikasteresh në kabinetin e tij qeveritar.

Mes emrave, ndër ata teknikë, largime, por edhe rotacione brenda ministrive.

Ndër emrat më të spikatur, është ai i ministrit të ri të Financave dhe Ekonomisë, i cili do të jetë Ervin Mete.

Mete më parë ka mbajtur pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, prej majit 2020.

Më herët, ai ka qenë kryetar i Bordit të Autoritetit, për më pak se një vit.

Ndërsa, në mandatin 2013-2017, Mete ka qenë zëvendësministër i Financave dhe zëvendësministër i Ekonomisë.

Emër tjetër i spikatur është ai i diplomatit Igli Hasani, i cili do të jetë kryediplomati i ri i vendit dhe do të marrë pozitën e ministrit të Evropës dhe Punëve të Jashtme.

Hasani ka qenë bashkë-koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore pranë OSBE-së. Një profil teknik i lartë për kabinetin Rama.

Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, ambasadori Hasani ishte Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe kryetar i Grupit të Kontaktit Mesdhetar si pjesë e Trojkës së OSBE-së në vitin 2019.

Ambasadori Hasani ka një përvojë 17-vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), Drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013-2014) dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013-2014).

Arsimi do të kalojë në duart e ish-ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Do të jetë kjo sfida e re në kabinet për të, pas pandemisë COVID-19.

Duhet thënë se Manastirliu e merr arsimin në një pikë shumë delikate, me çështje të mëdha për t’u diskutuar, si ligji i ri për studentët e Mjekësisë dhe rënien tërësore të aplikimeve, apo ikjen e të rinjve jashtë.

Shëndetësia nga ana tjetër do të kalojë në duart e Albana Koçiut.

Kjo e fundit ka qenë drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike dhe ka pasur rol kryesor në reformën e administratës me ardhjen e Qeverisë Rama në pushtet.

Nga Bujqësia do të largohet Frida Krifca dhe rolin e saj do ta marrë një ish-ministre e Ramës, Anila Denaj.

Denaj ka mbajtur më parë rolin e ministres së Financave dhe Ekonomisë në Qeverinë e dytë Rama.

Sipërmarrja do të kalojë ndërkaq në duart e ish-ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Kjo e fundit ishte bërë që më parë me dije se do ishte shkarkuar nga pozita, siç e ka raportuar Albanian Post.

Në portofolin e saj, ka detyra me rëndësi, si pozita e ish-drejtores së Tatimeve dhe ish-drejtores së Institutit të Statistikave.

Një Ministri e re ndërkaq do të vijë në jetë, ku Arbian Mazniku do të marrë postin e ministrit për Pushtetin Vendor.

Kjo Ministri do të kryejë edhe bashkërendimin e punës mes Qeverisë dhe pushtetit vendor.

Mazniku ndërkaq ka një rol të gjatë si zëvendëskryetar i parë i Bashkisë Tiranë, ku më herët ka qenë edhe administrator rajonal në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore