Kosova

Presidenca: Osmani s’ka negociuar për lirimin e agjentëve të BIA-s


Ilustrim

Këshilltari për Media i Zyrës së Presidentes, Bekim Kupina, ka mohuar në mënyrë kategorike pretendimet se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka negociuar për lirimin e dy të akuzuarve për spiunazh.

“Presidentja Osmani nuk ka negociuar për lirim të agjentëve të BIA-s, ndaj kjo është gënjeshtër e pastër e individit Bedri Elezi”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Lidhur me këto pretendime, Kupina, ka bërë të ditur se Osmani do të përgatisë padi.   për ç’gjë Presidentja menjëherë do të përgatisë padi.

“Ky deklarim i pa vërtetë dhe skandaloz, përbën shpifje të rëndë. Deklarime të tilla, cenojnë jo vetëm kredibilitetin e shtetit, por edhe sigurinë kombëtare. Shpifjeve të tilla, Presidentja do t’u përgjigjet nëpërmjet rrugës ligjore”.

Sipas Kupinës, Osmani u ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë “që urgjentisht të ndërmarrin masa, bazuar në raportet e shumta të institucioneve të sigurisë, të cilat dëshmojnë aktivitetin e vazhdueshëm të individit Bedri Elezi në dëm të sigurisë kombëtare”.

Dy shtetas kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe ngarkohen me veprën penale “spiunazh”.

Në bazë të raportimeve të mediave vendore, personat e arrestuar dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Prokuroria Speciale e Kosovës caktoi masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për spiunazh në Serbi.

Besnik Berisha, avokat i Bedri Shabanit njërit prej të dyshuarve për spiunazh, njoftoi se klienti i tij është dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë të Holandës në rastin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore