Shqipëria

Prefekti mund të propozojë shkarkimin e kryebashkiakut, sipas projektligjit të ri


Projektligji i ri parashikon detyra të reja për Prefektët e qarqeve, të cilat përfshijnë edhe kompetencën për të propozuar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë te ministri përgjegjës për çështjet vendore.

Po ashtu ngarkimi i detyrës për monitorimin e zbatimit të projekteve me fonde të qeverisjes qendrore deri te marrja e raportimeve çdo 10 ditë nga Kryetari i Policisë Vendore për situatën e rendit.

Këto ndryshime në fjalë janë parashikuar te projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, “Për prefektin e qarkut” i publikuar te konsultimet publike nga Ministria e Brendshme.

Ndryshimet e propozuara – sipas relacionit shoqërues – synojnë të forcojnë rolin e prefektit të qarkut si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark.

Gjithashtu forcon rolin e Prefektit në qark për të mundësuar shërbime dhe qeverisje sa më pranë qytetarëve.

Por disa nga këto kompetenca të reja – për ekspertët e pushtetit vendor – dalin mbi ligjin aktual të vetëqeverisjes vendore.

Në raste të tjera, mbivendosin autoritetin e Prefektit me autoritete të tjera.

Një nga detyrat e reja të parashikuara është që Prefekti “të propozojë pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.

Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Institutit të Bashkive, veçon se kjo e drejtë që i jepet Prefektit prevalon mbi ligjin e vetëqeverisjes vendore.

Ai rikujton se Neni 62 i ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” përcakton se Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:

a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;

b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;

c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

“Nëse edhe Prefektit do t’i jepet kjo e drejtë, i bie që ligji ‘Për Prefektin e Qarkut’ të prevalojë mbi ligjin 139/2015 që nga hierarkia është më lart, dhe se bashkitë që janë institucione kushtetuese dhe të pavarura”, dallon Haxhimali.

Sakaq, sipas pikës “k” në ndryshimin e propozuar në projektligj, Prefekti monitoron zbatimin e projekteve, programeve sektoriale në qark, që zhvillohen me fonde të kushtëzuara apo fonde të qeverisë qendrore, veçanërisht për sa i përket respektimit të afateve dhe cilësisë.

Po ashtu thuhet se procedura e monitorimit të zbatimit të politikave, projekteve e programeve sektoriale të qeverisë qendrore në nivel qarku përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe sipas pikës “i” sinjalizon institucionet përgjegjëse inspektuese duke propozuar fillim të procedurës së inspektimit për shkeljet e evidentuara.

Për Haxhimalin, të gjitha këto rikthejnë rolin e prefektit të dikurshëm që bënte auditime të fondeve.

“Është një mbivendosje me autoritetet e tjera që kanë përgjegjësinë për të monitoruar këto fonde të kushtëzuara”, thekson ai.

Ndërkohë, drafti parashikon që drejtori i policisë vendore të zhvillojë takime të përbashkëta dhe të informojë çdo 10 ditë Prefektin e qarkut mbi shkallën e zbatimit të masave për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në nivel qarku, sipas përgjegjësive e detyrave të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore.

Sipas Haxhimalit, ky nen prezanton një ndërveprim te ngarkuar.

Ai propozon se ky ndryshim mund të riformulohet duke thënë se me kërkesë të Prefektit, drejtori i Policisë Vendore informon Prefektin mbi çështjet e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore