Kosova

Prapë të shtëna me armë zjarri në Prishtinë


Ilustrim

Sërish janë dëgjuar gjuaje me armë zjarri në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, pas konfliktit që ka ndodhur mes dy personave.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 14:20, kemi marrë informatën për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Ahmeti.

Ajo tutje ka shtuar se bazuar në të dhënat fillestare në këtë rast nuk ka persona të lënduar.

Ndërsa të martën po ashtu ka nisur seanca dëgjimore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ndaj pesë të dyshuarve lidhur me rastin e vrasjes dhe plagosjes që ka ndodhur mbrëmjen e 1 shtatorit në lagjen “Aktash” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë një person.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Po, ka nisur seanca dëgjimore ndaj tyre në ora 14:00”, ka thënë shkurtimisht Gashi për AP.

Gjatë ditës kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka deklaruar se janë marrë disa kamera te rrugët e vendit të ngjarjes.

Të njëjtat sipas Gashit, “janë në fazë të përpunimit të video-incizimeve”.

Dy pistoleta dhe një karikator me dy fishek janë gjetur dhe sekuestruar në rrugën “Gazmend Zajmin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore