Gjykata Speciale

Prapë seancë e mbyllur në Speciale


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), është duke e vazhduar për ditën e dytë me radhë dëshminë dëshmitari i 82-të në seancë të mbyllur.

Para këtij, të mërkurën ka përfunduar dëshminë njëri nga ish pjesëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, identiteti i të cilit s’është bërë i ditur për publikun.

Para këtyre dy dëshmitarëve seancën në Speciale e ka përfunduar ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Skender Zhitia.

Dëshmia e tij ka qenë e hapur për publikun.

Gjatë dëshmisë, Zhitia ka folur për librin e tij “Zona Operative e Llapit”, derisa ka theksuar se avokatë dhe prokurorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shkoqitur fjalë dhe fjali nga libri i tij, të cilat në opinion më pas kanë përcjellur mesazh të gabuar.

Tutje, Zhitia ka potencuar se është i saktë informacioni që e ka pasqyruar në libër, ku kishte treguar se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në Zonën Operative të Llapit kishte filluar ofensiva serbe dhe se Serbia kishte filluar me planin ‘Patkoi’ për dëbimin e shqiptarëve.

Nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 80 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 81-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore