Lajme

Policia rrethon shtëpinë e ish-udhëheqësit të Hondurasit, kërkohet ekstradimi i tij në SHBA për trafik droge


Policia në kryeqytetin e Hondurasit, Tegucigalpa, ka rrethuar shtëpinë e ish-presidentit Juan Orlando Hernández.

Oficerët u vendosën disa orë pasi SHBA-të kërkuan ekstradimin e tij për akuzat e drogës, të cilat ai i mohon.

Ministri i Sigurisë së Hondurasit tha se Hernández ishte brenda shtëpisë së tij dhe se policisë i ishte thënë ta rrethonte atë për të “parandaluar një arratisje”, ndërsa prisnin që të lëshohej një urdhër-arresti.

Hernandez qeverisi Hondurasin nga viti 2014 deri në janar të këtij viti.

Ai akuzohet se ka qenë i përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës ku përfshihej vëllai i tij më i vogël, Tony Hernández, i cili vitin e kaluar u dënua me burgim të përjetshëm në SHBA.

Gjatë gjyqit të Tony Hernández, prokurorët pretenduan se bosi famëkeq meksikan i drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán i kishte dorëzuar personalisht Tony Hernández 1 milion dollarë.

Juan Orlando Hernández

Sipas prokurorëve, “El Chapo” Guzmán i tha të riut Hernández që t’ia kalonte paratë vëllait të tij, Juan Orlando si ryshfet.

Hondurasi ka qenë prej vitesh një vend kryesor transiti për drogën e kontrabanduar nga Amerika e Jugut në Shtetet e Bashkuara dhe, së fundmi, është bërë gjithashtu një vend ku prodhohet kokaina.

Juan Orlando Hernández ka pohuar gjithmonë se ai bëri gjithçka në fuqinë e tij për të luftuar trafikun e drogës dhe gjatë administratës së ish-presidentit republikan të SHBA-ve Donald Trump, ai gëzonte mbështetjen e qeverisë amerikane.

Por, marrëdhënia e tij me SHBA-të u përkeqësua nën udhëheqjen e Presidentit demokrat, Joe Biden.

Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit zbuloi se Hernández ishte shtuar në listën e personave të ndaluar të hynin në SHBA, për shkak të aktiviteteve të supozuara korruptive.

Në një deklaratë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se kishte raporte “të besueshme” se ish-udhëheqësi i Hondurasit ishte “angazhuar në korrupsion të konsiderueshëm duke kryer ose lehtësuar akte korrupsioni dhe narkotrafiku, dhe duke përdorur të ardhurat e aktivitetit të paligjshëm për të lehtësuar fushata politike”.

Hernández iu përgjigj vërejtjeve të Blinken-it duke thënë se akuzat kundër tij bazoheshin te deklaratat e dhëna nga trafikantët e dënuar të drogës, të cilat ai thotë se ishin për hakmarrje.

Ndërsa Hernández ende nuk i është përgjigjur kërkesës së SHBA-ve për ekstradim, avokati i tij tha se ai kishte imunitet nga arrestimi për shkak të anëtarësimit të tij në Parlamentin e Amerikës Qendrore.

Ekspertët juridikë thonë se imuniteti i dhënë nga organi rajonal mund të hiqet nëse e kërkon shteti i origjinës së anëtarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore