Kosova

Policia jep detaje për dy vrasjet që tronditën Prishtinën


Ilustrim.

Vetëm të mërkurën e 30 nëntorit, kanë vdekur tre persona, sipas raportit të Policisë dy prej të cilëve janë vrarë, ndërsa një tjetër është vetëvrarë.

Një grua dyshohet se është vrarë si pasojë e një grabitjeje në rrugën “Dalip Alshiqi”, lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre.

“Policia ka raportuar se gruaja derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje”.

“Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Ndërsa, rreth orës 21:30, në rrugën “Ali Vitia” në Prishtinë, dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, dhëndri ka goditur me thikë vjehrri.

“Viktima i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka vdekur në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”.

Mëngjesin e 29 nëntorit, në rrugën “Nezir Muja”, një person ka rënë nga lartësia e një ndërtese, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur viktimën pa shenja jete.

“Ndërsa ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Për të trija rastet nga Policia e Kosovës, është thënë se janë duke u hetuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore