Lajme

Arrestohet një 15-vjeçar nga policia gjermane pas sulmit masiv


Policia gjermane ka arrestuar një person dhe po heton nëse ka një lidhje mes tij dhe sulmit me thikë në Solingen.

Kështu ka raportuar së fundmi Reuters.

Policia tha se ende po përpiqet të përcaktojë një motiv, por nuk mund të përjashtojë terrorizmin.

Ata konfirmuan arrestimin e një 15-vjeçari, por thanë se nuk mund të japin informacione të mëtejshme.

Policia konfirmoi gjithashtu se dy burra dhe një grua u vranë në sulm. Dy viktimat meshkuj mësohet se janë 67 dhe 56 vjeç, gruaja e ndjerë 56. Tetë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, katër prej tyre në gjendje të rëndë.

Policia u bëri thirrje njerëzve që të shmangin spekulimet për sulmin. Dhe u kërkoi njerëzve me prova që t’i paraqesin duke përdorur linjën zyrtare të ndihmës, në vend që ta postojnë në mediat sociale.

Një sulm masiv me thikë ka ndodhur në një festival të premten mbrëma që vrau tre dhe plagosi tetë, pesë prej tyre rëndë.

Sulmi me thikë ndodhi ndërsa mijëra njerëz u mblodhën në sheshin qendror në qytetin e Solingen në perëndim të vendit gjatë festimeve për të shënuar 650 vjetorin e tij, të cilësuar si një festival i diversitetit.

Të shtunën, policia tha se ishte ende në kërkim të sulmuesit të panjohur dhe tha se numri i të plagosurve rëndë ishte rritur nga katër në pesë. “Të dy viktimat dhe dëshmitarët janë duke u marrë në pyetje. Aktualisht policia është vënë në kërkim të autorit me një ekip të madh”, tha policia.

Një dëshmitar i tha gazetës lokale Solinger Tageblatt të premten mbrëma se ai ishte pak metra nga sulmi, jo shumë larg nga një skenë me muzikë live dhe “kuptoi nga shprehja në fytyrën e këngëtarit se diçka nuk shkonte”.

“Dhe më pas, një metër larg meje, një person ra,” tha burri, Lars Breitzke, i cili në fillim mendoi se ishte dikush që ishte i dehur. Por kur u kthye, pa njerëz të tjerë të shtrirë në tokë dhe disa pellgje gjaku, shtoi ai.

Të premten mbrëma, ministri federal i shëndetësisë Karl Lauterbach tha se shpresonte se “skuadrat e shpëtimit mund të shpëtonin të plagosurit që janë ende gjallë dhe se policia mund të kapte autorin frikacak dhe patetik”.

Kryeministri rajonal Hendrik Wüst, i cili mbërriti në vendngjarje herët të shtunën, postoi më herët në X se “E gjithë Rhine-Westfalia qëndron me njerëzit në Solingen, mbi të gjitha me viktimat dhe familjet e tyre,” tha ai, duke shprehur “një falënderim të madh për punonjësit e shumtë të shpëtimit dhe policinë tonë që janë në këto minuta duke luftuar për jetën e njerëzve”.

Sulmi ndodhi në një ngjarje që shënon 650-vjetorin e qytetit dhe të cilësuar si një festival i diversitetit që filloi të premten dhe që supozohej të zgjaste deri të dielën. Rreth 10 mijë njerëz morën pjesë, shumë prej të cilëve u mblodhën rreth një skene me muzikë live në sheshin e tregut Fronhof në qendër të qytetit.

Shumica e të plagosurve besohet se janë sulmuar drejtpërdrejt përpara skenës, raportoi e përditshmja Bild, duke shtuar se njeriu dukej se synonte fytin e viktimave të tij.

Një zëdhënës i policisë tha se shërbimet e urgjencës kishin marrë disa telefonata rreth orës 21:30 me dëshmitarët që raportuan se “një person i panjohur i armatosur me thikë plagosi disa njerëz në mënyrë të rastësishme”.

“Shumë dëshmitarë janë në gjendje shoku dhe po kujdesen dhe po japin deklaratat e tyre,” tha zëdhënësi. “Shpresojmë të marrim informacion për sulmuesin, veçanërisht pamjen e tij, në mënyrë që të mund ta bëjmë gjuetinë më të shënjestruar.”

Ai tha se informacioni i përpiluar deri më tani ishte “shumë i hollë”. Policia krijoi një faqe interneti për njerëzit që të dërgojnë pamjet ose informacionet rreth sulmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore