Shqipëria

Policia e Shtetit mohon të ketë pasur kontakte me shtetin iranian


Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar zyrtarisht njoftimet dhe lajmet sa i takon transferimit të pajisjeve të sekuestruara tek kampi ASHRAF 3, në Manzë drejt Iranit.

Në këto njoftime bëhej me dije apo lihej të nënkuptohej, se pajisjet kompjuterike të sekuestruara në kampin ASHRAF 3 janë dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe se ka pasur kontakte me shtetin iranian apo me shtetas të këtij shteti.

Policia e Shtetit sqaroi se asnjë nga strukturat e saj hetimore dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, “nuk ka pasur kontakte me shtetin iranian apo me shtetas të këtij shteti”.

Sipas autoriteteve, të gjitha pajisjet e sekuestruara janë vendosur në dispozicion të strukturës përkatëse e cila do të kryejë ekspertimet digjitale, referuar procedurës ligjore.

Sakaq, asnjë nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara dhe asnjë material i nxjerrë nga këto pajisje, nuk është dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, thekson Policia.

“Të gjitha njoftimet që qarkullojnë në rrjete sociale dhe media për sa më sipër, janë jo vetëm të rreme por dhe në raste specifike kanë qëllime të tjera të cilat shkojnë përtej informimit të publikut.
Policia e Shtetit qëndron gjithmonë në dispozicion dhe në mbrojtje të interesave të ligjshme të qytetarëve të saj dhe të kujtdo që banon në Republikën e Shqipërisë”, vëren njoftimi zyrtar i institucionit.

Ndërtimi i situatës

“Disa nga hard-disqet dhe kasat janë marrë, po punojmë për rikuperimin e të dhënave, identifikimin e ndërfaqeve dhe bërthamave të shkatërruara dhe pikave të verbëra, rezultatet janë premtuese deri më tani”.

Ky status i kreut të këshillit të informacionit të qeverisë iraniane, Sepehr Khalaji mjaftoi për të angazhuar mediat në vend se ky status lidhej me njësitë kompjuterike të sekuestruara në bazën e MEK-ut në Shqipëri.

Por, në faqet shtetërore iraniane thuhet se është deklaruar që janë marrë laptop dhe kompjuter nga grupe opozitare pa dhënë asnjë koment tjetër.

“Kompjuterët e sekuestruar i përkasin një grupi të afërt me MEK-un në Iran, por ata nuk e thanë qëllimisht këtë për t’u dukur se bëhet fjale për Shqipërinë”, tregon një burim qeveritar në Iran për Albanian Post.

Sakaq, autoritetet shqiptare e mohuan kategorikisht një zhvillim të tillë, duke shtuar se pas përfundimit të operacionit në bazën e MEK-ut, njësitë kompjuterike janë pjesë e një hetimi që ende vijon.

“Kjo është hedhur për konsum të brendshëm në Iran dhe është qartësisht pjesë e propagandës së regjimit. Njësitë kompjuterike janë pjesë e hetimit dhe nuk mund të transferohen në asnjë vend tjetër”, zbuloi një zyrtar pranë Ministrisë së Brendshme në Shqipëri për Albanian Post.

Ai kujtoi gjithashtu se Shqipëria i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike dhe kjo mjafton për të kuptuar rolin dhe kontrollin e medias për ngjarje dhe zhvillime të tilla.

MEK ka reaguar pas statusit të zyrtarit iranian duke publikuar një deklaratë për shtyp mbi historinë e njësive kompjuterike.

Ata shkruajnë se më 20 qershor policia shqiptare mori 213 kompjuterë dhe hard disk dhe shton se nëse lajmi për dorëzimin e një pjese të tyre në duart e autoriteteve iraniane do të ishte i vërtetë, “qeveritë e Washington-it dhe Tiranës do të ishin përgjegjëse për arrestime, tortura. dhe ekzekutimet e anëtarëve të MEK-ut dhe familjeve të tyre”.

Esmail Kowsari, ish-gjenerali i Pasdaran, i cili tani është anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, u shpreh gjithashtu se “shërbimet tona (iraniane) të inteligjencës kanë vendosur kontakte në muajt e fundit me vende të tilla si Shqipëria dhe ne kemi marrë rezultate të shkëlqyera”.

Të gjitha këto shkëmbime të rreme në distancë mes palëve tregojnë qartazi se si po përdoret Shqipëria në favor të politikës së brendshme në Iran.

Si po e përdor Irani Shqipërinë për politikën e tij të brendshme

Çfarë ndodhi në kampin e Manzës?

Strukturat speciale të Policisë së Shtetit (RENEA, Antiterrori, Operacionalja, Shqiponja) zbarkuan rreth orës 08:00 të 20 qershorit në Manëz, në vendqëndrimin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit Iranian (MEK).

Qëllimi i këtij operacioni ishte për të zhvilluar kontrolle dhe sekuestrime në atë që konsiderohej si qendër operacionale e MEK-ut për sulme të mundshme keqdashëse kibernetike.

Hyrja e efektivëve të Policisë u bë me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pasi SPAK-u kishte arsye dhe dyshime të forta për aktivitetin e MEK-ut.

Angazhimi policor është kundërshtuar nga anëtarët e MEK-ut, duke u përpjekur për të bllokuar automjetet dhe lëvizjen e Policisë nëpër rezidenca, duke iu referuar imazheve të publikuara nga autoritetet.

Operacioni u përmbyll me një të vdekur, që dyshohet se ndërroi jetë nga infarkti dhe për të cilin pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbuluar shkaqet zyrtare.

Sipas shifrave të publikuara nga Policia, u dëmtuan 15 efektivë dhe 21 anëtarë të MEK-ut, 15 prej të cilëve lanë spitalin disa orë pas shtrimit të tyre.

Nga 127 godina në Manëz, autoritetet kontrolluan 70 prej tyre duke e përmbyllur me sekuestrimin e 96 njësive kompjuterike, 46 laptop dhe karta të ndryshme memorieje.

Pas përfundimit të operacionit policor, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe për pengimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-s.

Skenarët e mundshëm

Duke iu referuar dosjes hetimore, Albanian Post zbuloi se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar procedimin penal për disa vepra penale ndaj muxhahedinëve.

Kjo, pas hetimeve që ka zhvilluar Njësia “C” nga Hetimi i Krimit Kompjuterik, si edhe Drejtoria e Antiterrorit.

Mes veprave penale të shkruara në dosjen e Prokurorisë e Posaçme janë: ‘Provokim i luftës’, ‘Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’, ‘Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike’, ‘Ndërhyrja në sistemet kompjuterike’, ‘Keqpërdorimi i pajisjeve’ dhe ‘Grupi i strukturuar kriminal’.

“Me bashkimin e veprave penale të zbuluara nga dosja hetimore e muxhahedinëve, dënimi parashikohet deri në 35 vite burg për ata që i kanë bërë, sepse janë vepra të rënda (‘Grup i strukturuar’, ‘Provokim i luftës’)”, tregon fillimisht eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës Prof. Ass. Dr. Ervin Karamuço për AP-në.

Karamuço mendon se ekzistojnë gjithashtu dy skenarë të mundshëm që mund të detyrojnë Qeverinë shqiptare që t’i largojë muxhahedinët nga territori i Republikës së Shqipërisë.

“Dje muxhahedinët e MEK-ut kanë marrë paralajmërimin e parë për të vazhduar qëndrimin e tyre sipas të gjitha rregullave që janë parashikuar në marrëveshjen e vitit 2014”, tha profesori i kriminologjisë.

Sipas tij, nëse muxhahedinët do të vazhdojnë në një mënyrë apo në një tjetër “të radikalizohen ndaj Qeverisë shqiptare duke i thënë asaj se ju jeni bashkëpunëtorë të Iranit e duke bërë veprime të dhunshme brenda dhe jashtë kampit”, ata do të marrin ndoshta paralajmërimin e fundit për të detyruar Qeverinë që t’i largojë nga territori shqiptar.

“Kjo është e sigurt”, shtoi Karamuço, “është thjesht çështje kohe për të parë nëse do të reflektojnë këta njerëz ose jo”.

Ai vëren se skenari i dytë i dëbimit të mundshëm do të jetë nëse “sulmi i dyshuar” do jetë organizuar nga ana e gjithë bashkësisë.

“Ata veprojnë si bashkësi nuk janë elemente të pavarur, janë në mënyrë të centralizuar dhe hierarkike tamam si një brigadë ushtarake, atëherë do të dëbohen të gjithë nga Republika e Shqipërisë”, vijoi eksperti i sigurisë.

Një nga veprat penale për të cilat akuzohen muxhahedinët nga SPAK është edhe “Provokim i luftës”, që lidhet edhe me rrezikun e mundshëm që i kanoset Shqipërisë nga Republika Islamike e Iranit.

“Ky ka qenë preludi dhe kryefjala e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, organizuar nga presidenti përpara nëntë ditësh ‘çfarë do të bëjmë me kampin e Manzës për të parandaluar ngjarje të tjera të sulmeve ndaj Iranit’, sepse me Iranin ne kemi një problem shumë të madh që na cenon sigurinë kombëtare”, argumenton Karamuço.

Eksperti thekson se ky investigim i nisur nga drejtësia “duhet të jetë i gjithanshëm” në këto momente.

Kjo, pasi janë zbuluar disa rregullime të brendshme që asnjëherë nuk janë mbikëqyrur nga autoritetet shqiptare.

“Kampi ka disa kamera që nuk i ka as Policia e Shtetit, ka një sistem teknologjik të mbikëqyrjes të jashtëzakonshëm, ka vetëm një mbrojtje të perimetrit të jashtëm me polici private shqiptare ndërkohë që brenda ata nuk kanë as polici, as roje të tjera. Ruhen vetë, vetë-administrohen, dënojnë njëri-tjetrin kanë gjyqe brenda grupime gjyqesh, kanë dhoma sigurie brenda që nuk është thënë asnjëherë”, u shpreh për Albanian Post, Ervin Karamuço.

Edhe mbas përplasjeve mes Policisë dhe muxhahedinëve, qeveria u garanton atyre në vijim energjinë elektrike, ujin dhe çdo gjë tjetër që u nevojitet, shtoi eksperti duke kujtuar shembujt e ujgurëve dhe afganëve në vendin tonë.

“Sa i takon trajtimit nga ana e autoriteteve tona, ata duhet të mbaheshin në një profil të ulët më shumë të ndihmës humanitare. Ne e kemi bërë këtë me ujgurët, me afganët ata s’kanë krijuar asnjëherë problem. I kemi mbajtur, i kemi ushqyer edhe mbas atij kundërshtimi të djeshëm, fizik, të dhunshëm Qeveria atyre u garanton në vijim energjinë elektrike, ujin dhe çdo gjë tjetër që u nevojitet”, tha Karamuço.

Eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës mendon se nëse vërtetohet vepra penale e regjistruar nga SPAK, “ne do të arrijmë të plotësojmë të gjithë fabulën se për çfarë është bërë gjithë kjo histori dhe gurgule të martën”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore