Shqipëria

Policia Bashkiake zbulon masat për mbarëvajtjen e Maratonës së Tiranës


Të shtunën e 22 tetorit, kryeqyteti do të mirëpresë garën e vrapimit “Fun Run Tirana” me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.

Kurse të dielën do të zhvillohet aktiviteti më i madh ndërkombëtar sportiv i vitit, “Maratona e Tiranës”.

Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për mbarëvajtjen e këtyre dy aktiviteteve, ka hartuar planin e masave për menaxhimin e trafikut në të gjithë qytetin.

Kështu, në të gjithë perimetrin e garës, në funksion të sigurisë, policia ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet.

Me qëllim sigurinë e garuesve dhe lehtësimin e trafikut, Policia Bashkiake u ka drejtuar thirrje qytetarëve që të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private në datën 22 dhe 23 tetor për të shmangur trafikun në qytet.

Po ashtu u kërkohet që të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit te garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar.

Ato mjete që do të gjenden të parkuara në rrugët ku do të zhvillohet gara, do të spostohen me mjet ngritës nga shërbimet policore.

Qytetarët gjithashtu do të duhet t’u binden menjëherë shërbimeve policore në devijimet eventuale të trafikut.

Policia Bashkiake u kërkon qytetarëve që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve dhe brenda perimetrit të garës, që t’i nxjerrin ato jashtë perimetrit përpara orës 08:00 të datës 23 Tetor, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 16:00.

Prej kësaj ata nuk do të kenë mundësi të hyjnë ose të dalin nga zona e perimetrit te garës me automjet.

Sakaq, thirrja është edhe për përdoruesit e biçikletave, monopatinave, apo motorëve elektrikë, të cilëve u kërkohet që të mos lëvizin në rrugët ku do te jenë vrapuesit gjatë zhvillimit të garës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore