Aplikacione

Po i vjen apo jo fundi TikTok-ut?


Që kur TikTok u bë aplikacioni konsumator më i shkarkuar në botë, ka qenë një pyetje e hapur se kur shërbimi në pronësi të ByteDance do të përballej me një nivel shqyrtimi në përpjesëtim me statusin e tij.

Ndoshta momenti është pikërisht tani.

Kryetarja e TikTok-ut, Vanessa Pappas, në një seancë dëgjimore përpara Komitetit të Senatit të SHBA-ve për Sigurinë e Brendshme dhe Çështjet Qeveritare, u përball me pyetje të ashpra nga ligjvënësit.

Pyetje për lidhjen me kompaninë e saj mëmë, marrëdhëniet me qeverinë kineze dhe potencialin që të dhënat e amerikanëve keqpërdoren.

Teksa ishte shansi më i fundit për Senatin që të qëndronte mbi industrinë e teknologjisë duke mos bërë asgjë për ta rregulluar atë, seanca dëgjimore tregoi gjithashtu vrullin në rritje për të ndërmarrë veprime më përfundimtare kundër TikTok-ut.

Pyetjes nëse ka anëtarë të Partisë Komuniste Kineze të punësuar nga TikTok-u ose ByteDance, Pappas u përgjigj se asnjë person që “merr një vendim strategjik në këtë platformë” nuk është anëtar i PKK-së.

Por në lidhje me pjesën tjetër të stafit të aplikacionit, ajo tha se kompania nuk i verifikon punonjësit bazuar në përkatësitë e tyre politike.

Dhe se asnjë platformë tjetër teknologjike e pranishme në seancë nuk i pyet punonjësit e saj se cilës parti politike i përkasin.

Nga njëra anë, është e vërtetë që kompanitë e tjera – Facebook, YouTube dhe Twitter – nuk i pyesin punonjësit për partitë e tyre politike.

Nga ana tjetër, duket e drejtë të pyesësh nëse ndonjë punonjës i TikTok-ut është anëtar i PKK-së, të paktën për aq sa ata mund t’i mundësonin qeverisë kineze të ndikojë në kompani ose të marrë të dhënat e amerikanëve pa e kërkuar zyrtarisht.

Duke pasur parasysh mijëra njerëz që punojnë për ByteDance dhe TikTok dhe faktin që PKK-ja ka më shumë se 95 milionë anëtarë, është e ditur që disa nga punonjësit janë anëtarë partie.

Por Pappas nuk mundi ta thoshte as këtë.

Për të fituar plotësisht besimin e senatorëve, TikTok-u duhet të rezultojë se Kina nuk ka kërkuar kurrë të përdorë aplikacionin për operacione ndikimi ose qëllime mbikëqyrjeje, se nuk do ta bëjë kurrë dhe nuk mund ta përdorë kurrë edhe nëse do të përpiqet.

Por pretendimi duket i paqëndrueshëm sepse dihet se çfarë ndodh me drejtuesit kinezë kur ata i rezistojnë qeverisë.

Prandaj dhe gazetarët vazhdojnë kërkimin nëse të dhënat e amerikanëve janë aksesuar vazhdimisht në Kinë, që ByteDance udhëzoi stafin të promovonte përmbajtje pro-Kinës në një aplikacion lajmesh tashmë të zhdukur të quajtur TopBuzz, se një organ qeveritar kinez kërkoi t’i bashkohej TikTok-ut për të përhapur propagandë nën një emër të supozuar.

Më e rëndësishmja është se kompanitë e teknologjisë e kanë jashtëzakonisht të vështirë të gjurmojnë rrjedhat e të dhënave në përgjithësi dhe kanë probleme në regjistrimin e duhur të aksesit, menaxhimin e lejeve dhe kuptimin e origjinës së të dhënave dhe meta të dhënave që rrjedhin nëpër serverët e tyre.

Megjithatë, pas seancës, duket qartë se TikTok-u do të mbahet në një standard më të lartë se rivalët e tij në këtë drejtim.

Kur zbulohet se Facebook-u ose Twitter-i kanë keqpërdorur të dhënat e përdoruesve, ose kanë punësuar aksidentalisht një agjent të huaj, më e keqja që mund të presin janë gjobat dhe njëfarë madhështie teatrale në një seancë dëgjimore në Kongres.

Kurse për ByteDance, të njëjtat krime rrezikojnë ekuivalentin e një dënimi me vdekje.

Ndaj gjithë kësaj, qasja e TikTok-ut ka qenë të tregtojë “transparencën” e tij për të zbuluar më shumë rreth operacioneve dhe algoritmeve të tij sesa çdo koleg tjetër.

Madje, Pappas ka thënë se ndër të tjera kompania do të fillonte të raportonte rrjetet e fshehta të ndikimit të gjetura brenda aplikacionit, ashtu siç ka bërë Facebook-u prej vitesh.

Kjo është si shtesë e një sërë masash të tjera që shumica e kolegëve të saj nuk i kanë provuar.

Këto janë përpjekje të denja. Por TikTok-u ka dy vjen tanimë në epokën e transparencës, ku ligjvënësit dhe palët e tjera të interesuara do të ftoheshin për të inspektuar dhe kuptuar algoritmet e tij nga afër.

Këto masa mund të kenë funksionuar për momentin, por edhe sa do të zgjasin?

Komiteti për Investimet e Huaja në SHBA, ose CFIUS, është ende duke kryer një rishikim sigurie të aplikacionit.

Pappas dëshmoi se TikTok-u po shkon më pranë arritjes së një marrëveshjeje me qeverinë amerikane që do t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve përgjithmonë.

Ama beteja vazhdon, si seanca e fundit dëgjimore. Gjithnjë e më shumë drejtues kanë filluar ta godasin TikTok-un se ndoshta duhet të ndalohet.

TikTok-u ndodhet në momentin kur disa njerëz me ndikim në SHBA, nga ligjvënësit e deri te drejtuesit e industrisë, thonë hapur se aplikacioni në pronësi të ByteDance nuk është i mirë për Amerikën.

Në deklaratën e saj, Pappas dukshëm shmangu çdo përmendje të Kinës.

Prapë së prapë  ka dyshime të thella se herët a vonë, ByteDance do të duhet ta shesë atë.

Marrë nga “The Verge”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore