Pishinat, kopshtet e ujitura mirë dhe makinat e pastra të të pasurve po nxisin krizat e ujit në qytete të paktën po aq sa urgjenca klimatike ose rritja e popullsisë.
Sipas studiuesve, ndryshimi i madh në përdorimin e ujit midis qytetarëve të pasur dhe të varfër është anashkaluar kryesisht në kërkimin e zgjidhjeve për mungesën e ujit, me fokus në vend të kësaj në përpjekjet për të rritur furnizimin dhe çmimet më të larta të ujit.
Dhe se e vetmja mënyrë për të mbrojtur furnizimin me ujë është rishpërndarja e burimeve ujore në mënyrë më të barabartë.
Studimi përdori Cape Town në Afrikën e Jugut si një rast studimi dhe zbuloi se njerëzit më të pasur përdornin 50 herë më shumë ujë se sa më të varfrit.
Kur kriza e ujit goditi qytetin në vitin 2018, pas disa vitesh thatësire, më të varfrit mbetën pa ujë të mjaftueshëm për nevojat e tyre themelore.
Cape Town nuk ishte aspak unik, thanë studiuesit, me probleme të ngjashme në shumë qytete në mbarë botën.
Që nga viti 2000, më shumë se 80 qytete të mëdha kishin përjetuar thatësirë ekstreme dhe mungesë uji, duke përfshirë Majamin, Melburnin, Londrën, Barcelonën, São Paulo, Pekin, Bengaluru dhe Harare.
Sipas tyre, krizat urbane të ujit pritet të bëhen më të shpeshta, me më shumë se 1 miliard banorë të qyteteve që pritet të përjetojnë mungesë uji në të ardhmen e afërt.
Në mars, një raport i Komisionit Global për Ekonominë e Ujit arriti në përfundimin se bota përballet me një krizë të afërt të ujit, me kërkesën që pritet të tejkalojë furnizimin me 40 për qind deri në vitin 2030.
Hannah Cloke, profesoreshë në Universitetin e Reading dhe bashkëautore e studimit të ri, ka thënë se “ndryshimet klimatike dhe rritja e popullsisë do të thotë se uji po bëhet një burim më i çmuar në qytetet e mëdha”.
Por “ne kemi treguar se pabarazia sociale është problemi më i madh për njerëzit më të varfër që kanë akses në ujë për nevojat e tyre të përditshme”.
Për të, projeksionet tregojnë se kjo krizë mund të përkeqësohet pasi hendeku midis të pasurve dhe të varfërve zgjerohet në shumë pjesë të botës.
Në fund të fundit, sipas saj, të gjithë do të vuajnë pasojat nëse nuk zhvillojmë mënyra më të drejta për të ndarë ujin në qytete.
Studimi, i botuar në revistën Nature Sustainability, përdori të dhëna për të zhvilluar një model të përdorimit të ujit të qytetit që merrte parasysh nivele të ndryshme të të ardhurave.
Në Cape Town, zbuloi se grupi më i pasur – 14 për qind e popullsisë së qytetit – përdorte 51 për qind të ujit të konsumuar në qytet.
Kurse grupi më i varfër – 62 për qind e popullsisë – përdorte vetëm 27 për qind të ujit. Pjesa më e madhe e ujit të përdorur grupi më i pasur ishte për nevoja jo bazike.
Modeli, i cili mund të aplikohej në qytete të tjera, tregoi se ndryshimet në përdorimin e ujit nga grupi më i pasur kishin një ndikim më të madh në disponueshmërinë e përgjithshme të ujit sesa ndryshimet në popullsi ose thatësirat që lidhen me krizën klimatike.
Studiuesit thanë gjithashtu se rritja e përdorimit të puseve private në kohën e mungesës nga qytetarët më të pasur ka varfëruar ndjeshëm burimet e ujërave nëntokësore.
Dhe se dështimi për të llogaritur pabarazinë sociale në një krizë uji shpesh çoi në zgjidhje teknokratike që thjesht riprodhuan modelet e pabarabarta dhe të paqëndrueshme të përdorimit të ujit që kontribuan në krizën e ujit në radhë të parë.
Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com