Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim Michael Granoff, kanë vizituar Piramidën e Tiranës.
Pas përfundimit të punimeve të jashtme dhe të brendshme në godinë, ajo do të pajiset edhe me mjetet e nevojshme për një qendër teknologjie.
Sipas Veliajt, Piramida pak ditë nga hapja e saj, është shndërruar në objektin më të vizituar të Tiranës.
Por ai nuk la pa theksuar as faktin se ajo do të kthehet në qendrën më të madhe digjitale në Ballkan.
Pas pushimeve verore, qendra do të jetë gati të presë të rinjtë për kurse në teknologji, sipas tij.
“Sot jetojmë në një kohë kur teknologjia po ndryshon shumë shpejt dhe teksa ne përgatitemi për kodimin, tashmë ka dalë Chat GPT, inteligjenca artificiale. Ndaj, do e pasurojmë kurrikulën”, ka theksuar Veliaj.
Në parashikimin e tij, në shtator gjithçka do të jetë gati.
“Në vjeshtë do të kemi mbledhjen vjetore të bordit të AADF-së dhe hapjen zyrtare edhe për kurset. Në këtë moment, kemi hapur vetëm atë që quhet hardware dhe në fund të verës do të hapim edhe atë që quhet software, pra pjesa e nxënies dhe e mësimit”, ka shtuar ai.
Sakaq, ministrja Margariti ka thënë se Tirana nuk ka më asgjë për të pasur zili nga kryeqytetet e tjera evropiane.
“Janë shumë kryeqytete që kanë kthyer vëmendje nga Tirana dhe nga mënyra si po e kthejmë hapësirën publike, si jashtë, por edhe brenda godinave, në një hapësirë punësuese 24 orë. Jam vërtet e lumtur që të vazhdojmë edhe kantiere të tjera me të njëjtën formulë dhe patjetër do të jenë një histori suksesi kur bëhemi bashkë, qeveri, bashki edhe partnerët”, ka thënë ajo.
Kurse Granoff u shpreh i lumtur me faktin që kjo godinë do u shërbejë plot 4 mijë fëmijëve që përfitojnë nga projektet e përbashkëta mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe qeverisë shqiptare.
“Mendoj se patëm një eksperiencë unike të përjetonim projektin që prej fillimit. Tani mund të shohim, më në fund, sesa e bukur do të jetë ndërtesa dhe pjesa e rëndësishme, mendoj se është kombinimi mes formës dhe përmbajtjes”, ka thënë ai.
Sipas tij, programi do të aftësojë fëmijët shqiptarë për të qenë të aftë që jo vetëm të konkurrojnë në Shqipëri, “por të konkurrojnë në botën e konkurrencës në të cilën ne jetojmë, për të qenë në ballë të ndryshimeve teknologjike që po përjetojmë të gjithë”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore