Sport

Pioli tregon arsyen pse e la Ibrahimovic-in jashtë listës së Ligës së Kampionëve


Zlatan Ibrahimovic vazhdon të mungojë për shkak të dëmtimit, derisa nuk ka mundur ta ndihmojë Milan-in në asnjë ndeshje në këtë sezon.

Sulmuesi 41-vjeçar është pranë rikthimit, teksa në javën e kaluar stërviti me ekipin dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Tottenham-it.

Megjithatë, gjigandi suedez nuk do të mund ta ndihmojë ekipin në këtë ndeshje, pavarësisht se a do të jetë në gjendje të mirë fizike apo jo, pasi që u la jashtë listës së Ligës së Kampionëve nga trajneri i tij, Stefano Pioli.

Ky i fundit tregoi arsyen pse la jashtë skuadre Ibra-n, duke thënë se ende nuk i beson fizikut të tij 100 për qind.

“Zlatan ka një rëndësi të madhe dhe të fortë. Dje ai u stërvit për 10 minuta me ekipin dhe dy ndeshjet kundër Tottenham-it vijnë herët. Tani nuk kemi garanci se kur do të jetë 100% për të ndihmuar ekipin”, tha Pioli duke u arsyetuar për mos-thirrjen e Ibra-s.

“Unë sinqerisht shpresoj që ai të kthehet në nivelin e tij. Shumë futbollistë në botë do të bënin atë që po bën ai për t’u kthyer pas një dëmtimi si ky, duke duruar dhimbjen dhe lodhjen”, shtoi tekniku i kuqezinjve.

“Duke mos pasur asnjë garanci për formën fizike që dë të ketë nëse do të kthehet në fushë, nuk mund të bëja zgjedhje tjetër dhe ia komunikova ditë më parë”, theksoi Stefano Pioli.

Kujtojmë që ndeshja e parë ndaj Tottenham-it do të zhvillohet më 14 shkur në “San Siro”, ndërkohë që dueli i kthimit në Londër do të luhet më 8 mars.

Para këtij ballafaqimi, kuqezinjtë fillimisht do të luajnë kundër Inter-it në Serie A dhe ndaj Torino-s në fundjavën e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore