Petrit Halilaj u bë një nga artistët më të vlerësuar me veprat që reflektojnë të kaluarën e vendit të tij. Tani, ai po e kthen atë në personale.
St. IVES, Angli – Kur Petrit Halilaj ishte trembëdhjetë vjeçar dhe refugjat nga lufta e egër në Kosovë, një grup psikologësh italianë arritën te kampi ku po qëndronte në Shqipëri dhe i dhanë disa stilolapsa me majë.
Halilaj shumë shpejt nisi të vizatojë dhjetëra piktura të ndritshme fëmijërore. Por ama subjektet e tij ishin larg të qënit fëmijërore: në njërën, ai përshkroi tanke që hedhnin në erë shtëpinë e një familjeje; në një tjetër, një varrezë masive. Pikturat tjera tregonin ushtarë që qëndronin mbi trupa të vdekur, me pushkë dhe thika të gjakosura që ngriteshin në shenjë feste.
Psikologët kaluan dy javë në kamp, në vitin 1999, duke u përpjekur të ndihmonin fëmijët për të kaluar traumat që përjetuan gjatë luftës, ku rebelët shqiptarë luftuan kundër trupave serbe. Për Halilajn, një shqiptar etnik, këto trauma ishin të shumta. Forcat serbe i kishin djegur shtëpinë dhe zënë peng babanë. Familja e tij kishte ikur nga një vend në një vend tjetër derisa përfunduan si refugjatë në Shqipëri.
Gjallëria e pikturave të Halilajt u la mbresa psikologëve – dhe jo vetëm atyre: gazetarët që vizitonin kampin e intervistuan për buletine të reja ndërkombëtare. Halilaj i tha një transmetuesi suedez në atë kohë se gjumi i ishte thyer nga makthet. “Ndihem më i lumtur kur e kaloj kështu kohën”, tha Halilaj për vizatimet.
Tani, pas mëse 20 vitesh, Halilah është një figurë në ngritje e artit evropian puna e të cilit është shfaqur në Bienalen e Venecias dhe në muze anembanë kontinentit. Në ekspozitën e tij të fundit, në Tate St. Iver, një avanpost i grupit muzeor britanik në Cornwall, Angli, Halilaj u është kthyer pikturave shokuese që vizatonte si fëmiu që kishte parë shumë.
Në një turne të kohëve të fundit të ekspozitës, Halilaj, 35 vjeçar, tha se i kishte rishikuar pikturat vitin e kaluar dhe u befasua me veten se çfarë kishte vizatuar. Në mes të dhunës, tha ai, “shihja gjithë këta zogj – pallonjë dhe pëllumba – dhe ishin po aq të mëdhenj sa ushtarët, po aq të lumtur e krenar”.
“Kisha zënë hapësirën për të vizatuar peizazhe që më bënin të ndihem mirë”, shtoi ai. “Ishte sikur sikur thosha, ‘Po, e tmershme ishte, por mund të ëndërroj dhe dashuroj gjithashtu’”.
Në këtë shfaqje, segmente të vizatimeve të djaloshërisë së Halilajt janë prodhuar në shkallë tejet të mëdha dhe të varura në tavanin e galerisë, në mënyrë që kur vizitorët të hynë, të takohen me peizashet fantastike të zogjëve dhe palmave ekzotike. Por kur të arrinë anën tjetër të dhomës dhe të kthejnë kokën pas, ata gjejnë disa nga format më të pezulluara që janë prituar në anën e kundërt me një përzgjedhje më makabër të shkarravinave të Halilajt: ushtarë, tanke, vajtime, figura, shtëpi të përflakura. Skena e qetësisë shndërrohet në skenë tmerri.
Halilaj tha se shpresonte që ekspozita do t’i bënte njerëzit të mendojnë se si politikanët dhe mediat e kanë portretizuar konfliktin. Edhe sot, thotë ai, disa ligjvënës në Ballkan e kanë shtrembëruar realitetin e luftës në Kosovës për të ngurtësuar agjendat e tyre nacionaliste. Por të bërit e shfaqjes gjithashtu e ka ndihmuar atë që t’i bëj ballë kujtimeve të tij.
Christine Macel, kryekuratorja e Qendrës Pimpidou në Paris e cila e ka paraqitur punën e Halilajt në Bienalen e Venecias të 2017-tës, ka thënë se “Halilaj ishte origjinal edhe si person edhe si artist – shumë i hapur, kreativ, që e merr veten shpejt, dhe përplot me imagjinatë”.
Vepra e tij prek subjekte serioze si nacionalizmi dhe mërgimi, thotë ajo, “por megjithatë ende përmban një shënjesë fantazie dhe mbështjellje gëzimi në to”. Ekspozita në Tate tregoi se të qënit premtues në moshë aq të hershme po përmbushej, thotë Macel.
Erzen Shkolkoli, ish-kreu i Galerisë Kombëtare të Kosovës, tha se artisti gjithmonë si pikënisje të veprës së tij kishte historinë e vendit, “por ama arti i tij është më shumë”, dhe gjithkush mund të gjej lidhjet me to.
Në disa vepra, mesazhet e Halilajt janë të qarta. Në 2011, ai gërmoi 66 tonë dhe në tokën e fmailjes së tij në Kosovë, dhe i shpjeu ato në një kabinë në panairin e artit Art Basel, për shitje. Jennifer Chert, një prej galeristeve të tij, tha se “vepra qartazi ishte lidhje me tokën, idenë e atdheut, dhe mërgimin, por kishte edhe anën e saj cinike, ‘Çfarë vlere ka toka’?
Halilaj tha se u shtye që ta bëjë eskpozitën në Tate nga një seri ngjarjesh që e bënë të ndjehet sikur politika në Kosovë dhe Serbi ende ka mbetur mbrapa në të 90-tat. Tetorin e fundit, ai kishte për të prezentuar veprën e tij në një bienale arti në Beograd, Serbi – një vend që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Halilaj tha se ishte entuziast për mundësinë, por i zhgënjyer kur kuptoi se organizatorët e ngjarjes e kishin hequr nacionalitetin e tij nga lista zyrtare e pjesmarrësve të publikuar online.
Pasi u ankua, administratorët e bienales shtuan në website se Halilaj ishte nga Kosova, por me një asterisk (*) mbi emrin e vendit, siç përdoret nga trupat ndërkombëtarë për të shënjuar statusin e kontestuar të Kosovës. Halilaj u tërhoq nga ngjarja në shenjë proteste.
Gjatë kësaj kohe, tha Halilaj, se kishte dëgjuar në lajme se Aleksandër Vuçiç kishte përshkruar një masakër në Kosovë si “të inskenuar”. Nëse politikanët nacionalistë po trillonin fantazi për konfliktin, ai do t’u përgjigjej me këtë të vërtetë: “U ndjeva si qytetar, dhe si artist, dua t’u vihem ballë dhe kundër-rrefej diçka”, tha Halilaj.
Megjithatë, ai tha se nuk dëshiron që vizitorët në St. Ives të përqendrohen vetëm në anën e errët të shfaqjes. Vizitorët duhet të kthehen mbrapa në fillim kur largohen, thotë Halilaj, dhe nëse u ndodh që të shikojnë pas, ata përsëri do të takohen me peizazhet fantastike të zogjëve dhe pemëve ekzotike. A reflekton pikëpamjet e tij për Kosovën ky fund i dëshiruar i Halilaj sot?
“Krejtësisht!”, tha Halilaj, duke buzëqeshur shumë. Ai ishte “shumë, shumë pozitiv” ndaj të ardhmes së vendit të tij. Halilaj kohëve të fundit inskenoi një shfaqje të përbashkët me Alvaro Urbano, burrin dhe bashkëpunëtorin e tij, ku qifti varën lule të mëdha fabrike nën kupën qiellore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në javën e krenarisë. Aty u përfshinë edhe replika të një zambaku që ka qenë pjesë e buketës kur qifti ishin fejuar.
Kosova ende është shoqëri maçosh, thotë Halilaj, por megjithatë askush nuk “gjuajti me domate” e as nuk protestoi për festimin e dashurisë së artistit.
“Kur kjo ndodhi, nën lule, u ndjeva si në shtëpi për herë të parë në jetë”, tha Halilaj. S’kishte më nevojë të imagjoheshin pallonjë e papagajë.
Artikull i përkthyer nga “The New York Times” – Wonder, and Horrors, Drawn From Boyhood in War Zone.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë