Kosova

Peter Stano thotë se “BE-ja mirëpret gatishmërinë e Vuçiç-it për dialog”


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se Unioni e mirëpret gatishmërinë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për angazhim konstruktiv në dialog për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiç për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të ri-integrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha Stano para gazetarëve të hënën.

“BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka ftuar Beogradin që të inkurajojë dhe Prishtinën që të mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës”, ka potencuar ai, derisa ka shtuar se procedurat e nevojshme janë pjesë përbërëse edhe nga marrëveshjet e dialogut.

“Marrëveshjet nga dialogu përmbajnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe respekt të kornizës ligjore të Kosovës. Në këtë kontekst implementimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është shumë i rëndësishëm”, potencoi Stano.

Ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga ajo që e ka quajtur “retorika nxitëse dhe mashtruese”, si dhe nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat shkojnë kundër dialogut dhe vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Ndryshe, shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç për Kosovën.

Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiç ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojnë sjelljen dhe gjuhën armiqësore të presidentit serb kundër Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore