Shqipëria

Përmbytjet nga reshjet e dendura të shiut në Ballkan lënë 6 viktima


Në rajonin e Ballkanit, shirat e rrëmbyeshëm gjatë dy ditëve të fundit kanë sjellë përmbytje që u kanë marrë jetën të paktën gjashtë personave.

Po ashtu kanë shkaktuar evakuime të gjera dhe dëme të konsiderueshme, sipas autoriteteve.

Një nga zonat më të prekura ka qenë në veriperëndim të Shqipërisë, ku mijëra hektarë tokë bujqësore dhe qindra banesa u përmbytën.

Sakaq, autoritetet evakuuan shumë familje për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Këtë të hënë të 21 nëntorit, u gjendën të pajetë pas 16 orë kërkimesh trupat e dy personave, babë e bir, të cilët u zhdukën pasi i mori rrjedha e ujit në vendin e njohur si “Grykë Lugje” në Malësinë e Madhe.

Nga ana tjetër, lumenjtë e fryrë në Mal të Zi dhe pjesë të Serbisë morën katër jetë gjatë fundjavës.

Një grua dhe dy fëmijët e saj u mbytën në Mal të Zi kur makina e tyre u përmbyt në lumë teksa po kalonte mbi një urë.

Kurse në jug të Serbisë, një djalë 2-vjeçar u mbyt pasi ra në lumë.

Ndërkohë, autoritetet në rajonin jugor serb shpallën gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve të mëdha dhe ushtria u vendos për të ndihmuar popullatën lokale me evakuimin dhe dërgimin e ujit të pijshëm dhe ushqimit.

Në Shqipëri, shiu i rrëmbyeshëm deri në 400 milimetra në 12 orë të dielën e 20 nëntorit bëri që lumi Drin, më i gjati, të dalë nga brigjet e tij me të paktën 10 centimetra.

Në rrethet e Shkodrës dhe Lezhës, të paktën tre mijë hektarë tokë bujqësore u përmbytën, 100 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

Ndërkaq, qindra trupa të ushtrisë u dërguan për të evakuuar familjet pasi më shumë se 600 shtëpi u përmbytën.

“Shkodra, për momentin, është e izoluar nga pjesa tjetër e vendit”, ka thënë kryebashkiaku Bardh Spahia.

Fermerët, të cilët kanë vuajtur vazhdimisht nga përmbytjet, janë të dëshpëruar për humbjet, ku përfshihet edhe bagëtia.

Ata i kanë kërkuar qeverisë ndihmë.

“Kemi nevojë për ndihmën e qeverisë sepse dëmet nga përmbytjet janë shumë, shumë të rënda”, ka thënë 60-vjeçarja Lina Zefi, në fshatin Kuç, më pak se dhjetë kilometra nga Shkodra.

Por përmbytjet kanë prekur edhe zonat perëndimore të Kosovës, duke shkaktuar disa dëme në ndërtesa dhe mbyllje shkollash.

Ndërkaq, atje nuk është raportuar për viktima.

Marrë nga “Associated Press”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore