Lufta në Ukrainë nuk ka sjellë vetëm shkatërrim e vuajtje, ajo mund të sjellë deri në një përgjysmimi të ekonomisë së saj, menjëherë.
Këto janë të dhënat e fundit të ardhura nga Banka Botërore, në të cilat shkruhet qartësisht se pritet që e gjithë ekonomia e Ukrainës të tkurret me 45% vetëm përgjatë vitit 2022, si pasojë direkte e luftës.
Mirëpo parashikimet, nuk janë të zymta vetëm për shtetin e Evropës Lindore. Kontinenti i vjetër do të përballet po ashtu me një dëm shumë të madh financiar, i cili mund të kalojë edhe vetë pasojat e COVID-19 në ekonomi.
Rajoni më i prekur do të jetë i gjithë blloku i Evropës dhe Azisë qendrore, ku përfshihet edhe vetë Rusia. Kjo e fundit, më së shumti, pritet të vuajë pasojat e sanksioneve shumë të ashpra nga Perëndimi dhe kostot e harxhimeve në luftë.
Një pjesë e mirë e fuqisë punëtore në Ukrainë nga ana tjetër, janë detyruar të ikin jashtë kufijve. Vetëm ky fakt, do të jetë i mjaftueshëm sipas Bankës Botërore për të parë një tkurrje të tillë.
Biznese të shumta janë mbyllur. Rrugët, fabrika të tëra dhe vepra infrastrukturore me rëndësi, janë dëmtuar ose shkatërruar. Në bazë të raportit, do të duhet vite, për të zhbërë regresin e sjellë nga kjo luftë dhe mbi të gjitha, shumë ndihmë nga vendet me pozitë në botë.
Pasoja pritet të shihen edhe në lëndë të para si drithërat, për shkak se Ukraina është ndër vendet kryesore të furnizimit me to. Çmimet janë rritur menjëherë pas fillimit të luftës dhe kanë ndërprerë një aset të rëndësishëm financiar në dorë të Kievit.
Sa i përket Moskës, ekonomia siberiane do të bjerë me rreth 11% sipas parashikimeve. Megjithatë, në bazë të reagimit nga sanksionet, rënia mund të jetë edhe më e madhe.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com