Shëndet

Përdorimi afatgjatë i paracetamolit “mund të shkaktojë presion gjaku”


Paracetamoli mund të shtojë rrezikun për sulme në zemër dhe goditje në tru, te njerëzit me presion të lartë të gjakut, sipas një studimi.

Mjekët duhet të mendojnë për rreziqet dhe përfitimet për pacientët që e marrin për shumë muaj, thonë studiuesit e Universitetit të Edinburg-ut.

“Marrja e qetësuesve për dhimbje koke dhe ethe është e sigurt”, theksojnë ata.

Nga ana tjetër, ekspertë thonë se nevojiten kërkime në më shumë njerëz për një periudhë më të gjatë kohore për të konfirmuar gjetjet.

Paracetamoli përdoret gjerësisht në mbarë botën si një ilaç afatshkurtër për dhimbjet, por gjithashtu i përshkruar për të menaxhuar dhimbjet kronike, pavarësisht dëshmive të pakta të përfitimit të tij për përdorim afatgjatë.

Gjysmë milion njerëzve – një në 10 – në Skoci iu dha ilaçi kundër dhimbjeve në 2018.

Presioni i lartë i gjakut prek një në çdo tre persona në Mbretërinë e Bashkuar.

Studimi gjurmoi 110 vullnetarë, dy të tretat e të cilëve merrnin ilaçe për presionin e lartë të gjakut ose hipertensionin.

Në një provë të rastësishme, atyre iu kërkua të merrnin 1 gram paracetamol katër herë në ditë për dy javë – një dozë e zakonshme për pacientët me dhimbje kronike – dhe më pas pilula bedel, ose placebo, për dy javë të tjera.

Prova tregoi se paracetamoli rrit presionin e gjakut, “një nga faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për sulmet në zemër dhe goditjet në tru”, shumë më tepër sesa një placebo, tha profesor, James Dear.

Studiuesit këshillojnë mjekët që pacientët me dhimbje kronike të fillojnë me një dozë sa më të ulët të paracetamolit dhe të ndjekin me vëmendje ata me presion të lartë të gjakut dhe në rrezik të sëmundjeve të zemrës.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore