Për Albanian Post, Hekuran Xhani shpalos programin politik: Nga ulja e taksës vendore, deri te bujqësia
Kandidatët që garojnë në zgjedhjet e pjesshme, të cilat do të mbahen më datë 6 mars, në gjashtë bashki – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë – tanimë kanë gati programet e tyre, ndërsa po vijojnë me takimet elektorale me banorët e bashkive që përfaqësojnë.
Në garë për postin e kryebashkiakut të Rrogozhinës janë tre kandidatët: Ferdinand Saraçi, Hekuran Xhani dhe Edison Memolla.
Dy të parët vijnë nga radhët e demokratëve, ndërsa i treti nga bastioni i socialistëve.
Hekuran Xhani, de facto përkrahësi i ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe de juro përfaqësuesi i LSI-së, për Albanian Post ka shpalosur programin e tij.
Edhe pse “rrugëtimi” për fituesin do të jetë i shkurtër – 15 muaj, deri në zhvillimin e zgjedhjeve në 61 bashki, Xhani, kandidati që përfaqëson koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, ka programuar “ndryshime” që do të vlejnë përtej një viti.
“Miradministrimi i të ardhurave dhe burimeve ekonomike, pasi aktualisht Bashkia e Rrogozhinës është e rrënuar në borxhe”, është pika e parë ku vë theksin Xhani.
Si një njohës i mirë i biznesit, pavarësisht se ka përfunduar studimet për Mjekësi Veterinare, thekson gjithashtu se, përpos rritjes së borxhit, qëndron dhe rritja e taksave vendore.
“Taksat vendore janë rritur minimalisht me dy deri në tri herë, duke pasqyruar një gjendje të mjerueshme të biznesit të madh dhe të vogël”.
Për kandidatin, i cili mban dhe postin e nënkryetarit në degën e Partisë Demokratike në këtë qytet, bazuar “në këto fakte”, është i nevojshëm ndryshimi i skemës totale ekonomike të ndjekur deri në këto momente.
“Rrogozhina ka gjithë potencialin për të tërhequr turistët”
Një aspekt tjetër që ravijëzon kandidati është “turizmi”.
“Duke pasur një shtrirje të gjerë në detin Adriatik, që nga plazhi i Vile Bashtovës e deri në Spille, në Rrogozhinë ekzistojnë mundësi të jashtëzakonshme për të joshur dhe afruar investitorë të huaj dhe vendas”.
Kjo, sipas tij, do të sillte jo vetëm të ardhura ekonomike, por gjithashtu do të hapte vende të reja pune, të cilat “janë të vyera jo vetëm në Rrogozhinë, por për mbarë trevat shqiptare”.
Pikë e planit të tij për partinë që përfaqëson, është dhe infrastruktura urbane dhe rurale.
“Rrugët kryesisht në zonat rurale, që janë të domosdoshme për zhvillimin e turizmit dhe sektorë të tjerë me potenciale ekonomike. Është e nevojshme rehabilitimi i sistemeve të kanalizimeve dhe ndërhyrja te trotuaret”, thotë ai.
Bashkia e Rrogozhinës shtrihet në një terren pjesërisht kodrinor dhe pjesërisht fushor deri në bregun e detit. Si e tillë, në ekonominë e saj rol të rëndësishëm luan bujqësia.
Mirëpo, për Xhanin, “infrastruktura bujqësore është në gjendje të shkatërruar”.
“Taksat e inputeve të tyre duhet të ulen ose të ngrihen sisteme rimbursimi (pasi nuk varen drejtpërdrejt nga bashkia), sepse çmimet në treg kanë arritur majat”.
Këto probleme, sipas tij, janë të diktuara edhe gjatë fushatës në takimet me qytetarët.
Edhe pse kandidati fitues do të qëndrojë për një kohë të shkurtër në poltronin e kryebashkiakut, këto muaj janë të rëndësishëm për qytetarët që “të kuptojnë se cili apo cila do të jetë alternativa më e mirë për Rrogozhinën, në zgjedhjet lokale të vitit 2023”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore