Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të enjten ka votuar kryesinë e re përmes së cilës ka emëruar kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën, si nënkryetar të kësaj partie.
Në kryesinë e re, Vlora Çitaku, është emëruar sekretare e përgjithshme, Uran Ismaili ka mbetur nënkryetar, Agim Aliu, Shaqir Totaj, Besianë Musmurati, Mimoza Ahmetaj, po ashtu kanë marrë pozitën e nënkryetarëve.
Ndërsa, Bajrush Xhemaili është emëruar sekretar për politika programore, Abelard Tahiri është emëruar sekretar për organzim dhe zgjedhje, Bernard Nikaj, sekretar për marrëdhenie ndërkombëtare dhe Betim Gjoshi është emëruar sekretar për anëtarësi dhe financa.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në fjalimin e tij ka konsideruar se Hamza është kryeministri që aktualisht ka nevojë Kosova.
“Sot është koha për të mbledhur në një vend të gjitha potencialet e vendit tonë, për t’i dhënë Kosovës një qeveri të re, kompetente, vizionare dhe që mendon për secilin qytetar. Një qeveri që udhëheqë me modesti e pa arrogancë, me frymë ekipore e gjithëpërfshirëse”.
“Dhe në këtë drejtim, do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin Kosovës një drejtim të ri”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa Hamza, para anëtarëve të Këshillit Drejtues ka thënë se beson në forcën dhe fitoren e PDK-së.
“Sot, para jush dhe para qytetarëve të Kosovës, ju them se jam tërësisht i gatshëm që të zotohem se, me të gjitha kapacitetet e mija profesionale dhe personale, do të jap maksimumin për suksesin e PDK-së në zgjedhjet e përgjithshme. Unë besoj në forcën e PDK-së. Unë besoj në fitoren e PDK-së”, ka thënë Hamza.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë, të mërkurën ka propozuar kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, kandidat për kryeministër të Kosovës në mes të zërave për zgjedhje të jashtëzakonshme në vend.
Hamza, është i njohur për publikun në Kosovë.
Ai ka qenë Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nga viti 2013 deri në vitin 2017.
Gjithashtu, shërbeu edhe si Ministër i Financave të Kosovës në dy raste. Kryetari i Mitrovicës ka qenë edhe deputet për dy mandate.
Ndryshe, partitë politike kanë filluar të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësinë e zgjedhjeve përgjatë këtij viti nuk e kanë përjashtuar as akterë të partisë në pushtet.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë