Kosova

PDK-ja e quan “të turpshme” dhe “të papranueshme” konferencën e VV-së për rastin Dehari


Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike, Përparim Gruda.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, e ka vlerësuar si “të papranueshme” dhe “të turpshme”, konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilët kanë akuzuar ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli, me pretendimin se të njëjtët kanë dhënë urdhër “për vrasjen” e aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, në vitin 2016.

Gruda, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tri vjet në pushtet që s’është bërë asgjë për ta zbardhur rastin e Deharit.

“Përkundrazi Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur dy herë, sot LVV vendosi të organizojë një konferencë për media para Prokurorisë Speciale, duke kërkuar drejtësi për Astrit Deharin. A është kjo drejtësia që keni premtuar qytetarëve të Kosovës dhe familjes Dehari?”, ka shkruar ai.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet ekzekutiv, Sami Kurteshi,  pa asnjë provë ka akuzuar institucionet kosovare, përfshirë policinë dhe Agjencinë Kosovare të Intelegjencës (AKI), duke thënë se ata kanë qenë të përfshirë në “inskenim” të rastit.

Gjithashtu, ai ka akuzuar edhe prokurorinë për “zvarritje” të rastit, duke theksuar se pesë prokurorë që janë marrë me zbardhjen e rastit Dehari kanë qenë në prag të pensionimit.

“Urdhri ‘për vrasje’ ka qenë politik nga maja e shtetit, fatkeqësisht në atë kohë nga presidenti i vendit dhe kryekuvendari që edhe në mjete të informimit kanë pranuar se është vrasje rasti i Deharit dhe ata kanë dhënë urdhër të drejtpërdrejt për veglat e tyre në prokurori, gjykatë, AKI e polici, për ta inskenuar rastin”, ka deklaruar Kurteshi të hënën në konferencë.

“Nuk mund të fshihet një krim i vrasjes duke shkuar në pension dhe duke i lënë punët në gjysmë… strategjia e prokurorisë: zvarritja e rastit, bartja e rastit te prokurorët parapensionistë që dorëzojnë stafetën e krimit nga njëri tek tjetri – rasti nuk mund të zvarritet në përjetësi, do të zbardhet”, ka shtuar ai.

Aktivisti i LVV-së ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 teksa mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore