Momente

Paul vs Askren ndeshje e manipuluar?!


24-vjeçari amerikan Jake Paul, i cili është ndër fytyrat më të shikuara në Youtube, u ndesh mbrëmjen e të shtunës kundër një prej veteranëve të arteve marciale mikse, si dhe një nga kampionët e mëparshëm në UFC (Kampionati Kulmor i Luftimit) dhe Bellator (një tjetër kampionat si UFC), në një ndeshje ekskluzive grushtesh – bëhet fjalë për boks.

Paul lëshoi një kombinim rrufe dhe mjaft të fuqishëm majtë-djathtë, prej të cilave e djathta u lëshua si një cross me kënd përafërsisht të ngjashëm overhand-i, mbi fytyrën e Askren-it. Kombinimi i fuqishëm qe i mjaftueshëm për ta rrëzuar përtok veteranin e UFC-s.

Ngjarja filloi të marrë një tjetër kthesë kur arbitri u bë gati të fillojë vazhdimin e ndeshjes, mirëpo nuk ndodhi ashtu: arbitri e ndaloi ndeshjen duke gjykuar se Askren nuk ishte më në gjendje të boksonte.

Ndërsa Paul gëzoi dhe shpall veten si “një ndër boksierët e rinj më të zotë në botë”, sportistë të tjerë nuk ngurruan të japin mendimet e tyre në rrjetet sociale ndaj ndeshjes.

Colby Covington, ish kampioni botës në kategorinë welterweight të UFC-s, shkroi në Twitter: “(Jake Paul) Gjarpri Paul vs (Ben Askren) Krem Prapanic-Askren, ishte ndeshje e manipuluar”.

Këndvështrimit të Covington iu bashkua edhe kampioni aktual në kategorinë bantamweight, Aljamain Sterling: “Kush e pagoi arbitrin?”

Tifozë e sportdashës bashkë, kanë përmbytur Twitter-in dhe Instagram-in me komentet në të njejtën vijë si luftëtarët e UFC-s.

Njëri shkruan: “Paul vs Askren u duk e sajuar. Askren mori check-un e tij dhe Paul vëmendjen dhe të drejtën për ta quajtur veten djal i fort. Padyshim që ishte ndeshje e manipuluar”.

Një tjetër është edhe më i objektiv: “Kurrë nuk kam parë një ndeshje kaq shumë të manipuluar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore