Kosova

Pas raportimit të Albanian Post, Inspektorati i punës kërkon nga PTK-ja që ta rishqyrtojë rastin e Slobodan Vujiçiç


Slobodan Vujiçiç.

Pas raportimit të Albanian Post, Inspektorati i Punës i ka konsideruar ankesat e koordinatorit për minoritete në Post Telekomin e Kosovës, Slobodan Vujiçiç, si të bazuara rreth largimit të punës pa ndonjë arsyeje dhe ka kërkuar që të rishqyrtohet rasti i tij nga PTK-ja.

Kështu ka bërë të ditur Inspektorati i Punës në një e-mail dërguar Albanian Post.

“Inspektori i punës, bazuar në dokumentacionin e prezantuar nga palët në procedurë konsideron se, ankesa e palës ankuese z.Sllobodan Vujiqiq është pjesërisht e bazuar (shiko arsyet e dhëna më lartë në këtë raport zyrtar) dhe kërkon nga Punëdhënësi Telekomi i Kosovës që lëndën ta kthen në Rishqyrtim dhe pas grumbullimit të provave të sakta të nxjerr vendimin meritor lidhur me rastin”.

Ndërkaq, thuhet se vërejtët eventuale në këtë raport zyrtar mund të bëhen në afat prej 3 ditëve nga dita e pranimit të këtij Raporti zyrtar duke ja bashkangjitur secilën vërejtje provat e shkruara.

“Të njëjtat dorëzohen te Inspektori i lëndës në zyrën e cila gjendet në rrugen ,,Fehmi Agani’’ nr.72 Prishtinë te Qafa”.

Ndryshe, Albanian Post kishte realizuar një video-story me koordinatorin për minoritet Slobodan Vujiçiç për shkarkimin e tij nga Post Telekomi i Kosovës.

Vujiçiçit iu tha se kontrata e punës iu ndërpre me arsyetimin se kishte munguar në punë disa ditë, pa arsye.

Në këtë institucion, Vujiçiç punonte nga viti 2010, por para 1 viti ai mori detyrë të re si koordinator i minoriteteve në Post Telekomin e Kosovës.

Dhe ishte pikërisht kjo, një ndër arsyet pse ai dyshonte se u largua nga puna – kërkimi i listave  me emrat e të punësuarve në postë nga radhët e minoriteteve në Kosovë.

Për shkarkimin nga puna të malazezit Vujiçiç, Albanian Post, kishte drejtuar pyetje edhe në Postën e Kosovës.

“Z. Sllobodan Vujiçiç ishte dërguar në Komision Disiplinor për shkak të mos ardhjes në punë, mungesës së pa arsyeshme nga puna më shumë se pesë (5) ditë pune pandërprerë, me çka ka shkelur rregulloret e brendshme të kompanisë si dhe normat e Ligjit të Punës”, ishte thënë nga Posta e Kosovës për AP.

Por ky institucion nuk ka treguar nëse është bërë ekzaminimi i pajisjeve kompjuterike për të dëshmuar nëse ato ishin në funksion gjatë kohës kur pretendohet mungesa e Vujiçiç në punë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore