Biznes

Partneritetet e paguara në mediat sociale, ndikim për përfitim


Mediat sociale kanë të bëjnë më shumë me sociologjinë dhe psikologjinë se sa me teknologjinë.

Me këtë fjali të lënë nga tekno-antropologu Brian Solis mund të zbërthehet gjithë çka ndodh në atmosferën digjitale të mediave sociale.

Tre polet e përfaqësuara nga ndjekësit, influencuesit dhe bizneset janë në harmoni me njëri-tjetrin, me synimin e vetëm për të arritur ndikimin.

Dhe një nga mënyrat për ta realizuar është vënia në funksion e partneriteteve të paguara.

Si kudo tjetër, edhe në vendin tonë, këto forma të përfitimit janë tejet të përhapura.

Por çfarë janë ato dhe si funksionojnë?

Histori e lezetshme

Për të renë Elena Basha, krejt nisi nga një nxitje e jashtme.

Ajo tregon për Albanian Post pa kurrfarë hezitimi se ishin kompanitë apo faqet e ndryshme që i ofruan një opsion të kënaqshëm se si të fitonte të ardhura nëpërmjet angazhimit në mediat sociale.

Basha e konfirmon këtë duke rrëfyer se…

“E bukura e së gjithës është se asnjëherë nuk kam dashur të punoj për mediat sociale. Në rastin konkret, për Instagram-in.

Ishin email-et e pafundme të dërguara në adresën time elektronike, të cilat më bindën për ta provuar.

Prandaj dhe kanë qenë kompanitë e ndryshme ose faqet që më kanë shtyrë ta nis këtë rrugëtim.”

Dhe ky rrugëtim i ri e njohu atë edhe me aspektet më konkrete të kësaj pune të formësuar nga bota digjitale.

Një nga aspektet është përfitimi monetar.

Sipas saj, “përfitime ka, por varet se sa kohë dhe se sa prioritet i jep medias sociale. Nëse vendos që t’i përkushtohesh, jam e bindur që të ardhurat do të jenë të mira”.

Në rastin e Bashës, ajo i kushton veç 10 për qind të kohës medias sociale pasi nuk është e vetmja punë me të cilën merret.

“Përgjatë kësaj kohe, më së shumti përfitoj produkte pa dhënë pagesë për to. Gjithashtu siguroj një kod, të cilin e shpërndaj me ndjekësit e mi dhe në këtë mënyrë, ata mund ta blejnë produktin që kam sugjeruar”, tregon ajo.

Nga ana tjetër, ata mund të përfitojnë “zbritje çmimesh të tilla si 10 për qind, 20 ose 30 për qind. Varet se sa vendosin faqet që të kryejnë zbritje”.

Kurse lidhur me pagesat, Basha ravijëzon se është një ballafaqim rregullash mes kompanisë që e fton për bashkëpunim dhe vetë asaj.

“Disponoj një çmim fiks, të qëndrueshëm, për një foto apo postim në platformën Instagram. Në momentin që faqet më kontaktojnë dhe më ofrojnë bashkëpunim, ofroj njëkohësisht edhe rregullat e mia”, thotë ajo.

Megjithatë, Basha nuk anashkalon as faktin se çdo pagesë që kryhet varet nga numri i ndjekësve që numëron në llogarinë e Instagram-it.

Gjithashtu zbulon se nuk e gjykon të nevojshme të fokusohet në një linjë të caktuar produktesh.

“Nuk jam fokusuar në ndonjë produkt posaçërisht. Deri më tani kam pasur një shumëllojshmëri produktesh, duke filluar nga bizhuteritë e deri te ushqimet”, thotë ajo.

Kjo nuk e pengon që të sigurojë reagime pozitive nga ndjekësit.

“Reagimi që kam marrë nga ndjekësit e mi ka qenë pozitiv. Kjo është edhe arsyeja pse vazhdoj punoj. Madje, është një nga arsyet kryesore. Sepse nëse nuk ka reagim, nuk ka as shitje të produkteve”, dallon e reja.

Sakaq, Basha veçon se këta të fundit pyesin në të shumtën e rasteve për çmimet dhe për cilësinë e produkteve që reklamon apo shfaq në profilin e vet.

Dhe se një rëndësi të veçantë e merr testimi paraprak i produkteve. Në këtë pikë, vihet re edhe përgjegjësia ndaj rekomandimeve që u jep miqve të saj virtualë.

“Me rëndësi është testimi i produkteve. Pasi i marr produktet, fillimisht i testoj nëse janë të kënaqshme dhe të vlefshme për t’u ndarë me ndjekësit”, vijon ajo.

Duke theksuar se “në momentin që nuk e pëlqej një produkt të caktuar, e kthej atë mbrapsht. Nuk e postoj edhe sikur kompania pas tij të më ofrojë një shumë të madhe parash në këmbim”.

Gjetja e të duhurit

Nga një tjetër perspektivë, marketerja Aunela Stoli ofron shpjegime profesionale mbi të ashtuquajturat partneritete të paguara në mediat sociale.

Për Albanian Post, ajo tregon se ato janë “bashkëpunime midis dy faqeve për arsye reklamimi, me qëllim final përfitimin. Ky i fundit mund të jetë për shitje, shtim të ndjekësve apo rritje të ndërgjegjësimit:.

Dhe se mund të nisin në dy forma.

“Biznesi mund të kontaktojë faqet e influencuesve që i gjykon të përshtatshme për kategorinë e vet ose vet influencuesi mund të dërgojë oferta ose propozime bizneseve që përshtaten me përmbajtjen që zhvillon në faqe”, thotë ajo.

Pastaj radhën e ka rënia dakord me kushtet, kostot dhe llojin e reklamimit. Pasi të dyja faqet i përcaktojnë këto, nis bashkëpunimi që mund të jetë afatgjatë ose afatshkurtër.

Specialistja thekson se përfitimi kryesor që sjell bashkëpunimi është arritja e shitjes së produktit apo shërbimit të reklamuar.

“Kur ato bëhen në formën e duhur dhe zgjidhen faqet e duhura për reklamim, duhet analizuar se sa është përqindja e angazhimit në llogari, nëse kategoria është e njëjtë dhe nëse llogaria që do të realizoj reklamimin do të jetë e besueshme për sugjerimin që do t’ju bëjë ndjekësve”, zbulon Stoli.

Si kudo tjetër, marketerja nuk e mohon se partneritetet e paguara përdoren gjerësisht në Shqipëri dhe janë zhvilluar goxha.

Ama shumë biznese nuk bëjnë analizat e duhura përpara se të bëjnë bashkëpunimin, dallon ajo.

Në shumicën e rasteve, “bashkëpunimi bëhet për motive të gabuara si rritja e numrit të ndjekësve”.

Dhe mbi te gjitha, “një përqindje e konsiderueshme nuk e vendos etiketën që vetë mediat sociale e japin si opsion”.

Stoli tregon gjithashtu se kategoritë e biznesit janë të ndryshme.

Ato nisin nga produktet e përditshme e deri te ato kozmetike. Kështu, meqë kjo mënyrë është diçka ekstra reklamimit të zakonshëm, gjen përdorim për çdo lloj biznesi.

“Mjafton të identifikohen llogaritë e duhura të influencuesve për bashkëpunim”, veçon specialistja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore